Ish-ministri i financave në qeverinë e Boris Johnson, Rishi Sunak, do të jetë hindusi i parë që do të mbajë postin e kryeministrit britanik.
Kryeministri më i ri në 200 vitet e fundit, zotëron një pasuri të vlerësuar prej pothuajse një miliardë dollarësh, transmeton Telegrafi.
Pasi Liz Truss mbajti postin e kryeministres për vetëm një muaj, Partia Konservatore mori vendimin historik duke emëruar Rishi Sunakun si kryeministrin e ri të Britanisë së Madhe.
Në 42-vjeç, Sunak është personi më i ri në moshë, që ka marrë këtë funksion në 200 vitet e fundit në Britaninë e Madhe.
Ndërsa trashëgimia e tij indiane tregon përparimin e Partisë Konservatore në diversifkimin e radhëve të saj, duke e bërë atë kryeministrin e parë jo të bardhë të Britanisë, Sunak kishte një edukim klasik konservator, raporton The New York Times.
Vijoi mësimin në shkollë private, studio filozofi, politikë dhe ekonomi në Universitetin e Oksfordit, punoi në bankën e investimeve Goldman Sachs dhe në dy fonde investimi përpara se të bëhej deputet.
Ndërsa studionte për master në Universitetin e Stanfordit, takoi gruan e tij Akshata Murthy, një stiliste, babai i së cilës, Narayana Murthy, është bashkëthemelues i gjigantit të teknologjisë informative Infosys, dhe një nga njerëzit më të pasur të Indisë.
Ata kanë shtëpi në Londër, në zonën parlamentare të Sunakut në Yorkshire dhe në Santa Monica të Kalifornisë, e këtë vit janë përfshirë në listën e njerëzve më të pasur në Britaninë e Madhe të publikuar nga The Sunday Times.
Në prill, u zbulua se gruaja e Sunakut kishte aplikuar për statusin e “personit jorezident në Britani”, për të kursyer miliona funte në vit nga taksat mbi dividentët e aksioneve në kompaninë e babait të saj – duke ngritur dyshime për të ardhmen politike të Sunakut.
Gjithashtu doli se kishte mbajtur kartën e gjelbër “green card” të SHBA-së, e cila i lejonte të jetonte përgjithmonë në SHBA, edhe kur ishte kancelar për ekonominë, pra ministër i financave në qeverinë britanike.
Sunak hoqi dorë nga karta e tij e gjelbër gjatë tetorit të vitit të kaluar, dhe në pranverë gruaja e tij tha se do t’i paguante taksa Britanisë së Madhe për të ardhurat e saj jashtë vendit.
Por, pasuria e Sunak ka të ngjarë të mbetet dobësia e tij politike.
Si kryeministër, ka shumë gjasa që Sunak të propozojë shkurtime shpenzimesh në departamentet qeveritare me buxhete tashmë të shtrira, të cilat do të jenë shumë të papëlqyeshme.
Sunak, u zgjodh për herë të parë si deputet në vitin 2015 dhe kaloi dy vjet në “prapavijë”, gjatë të cilave Brexit dominoi agjendën politike. Ai mbështeti largimin nga Bashkimi Evropian gjatë referendumit të vitit 2016.
Më vonë u bë ministri i ri në qeverinë e Theresa May. Ishte Boris Johnson ai që i dha Sunakut rolin e tij të parë të madh në qeveri, kur e emëroi për herë të parë si Sekretar të Thesarit në vitin 2019 dhe ministër të Financave më 2020.
Sunak fitoi popullaritet gjatë javëve të para të pandemisë kur zbuloi planin gjithëpërfshirës dhe mbështetës, për ata që nuk ishin në gjendje të punonin gjatë bllokimit, por skandali “Partygate” që rrëzoi Boris Johnsonin gjithashtu dëmtoi reputacionin e tij, dhe u bë rivali kryesor i Johnsonit pasi u largua nga qeveria në fillim të këtij viti.
Sunak ditëve të fundit nuk zbuloi planin e tij politik, por përgjithësisht konsiderohet më i moderuar se kandidatët e tjerë që aplikuan për postin e kryeministrit të Britanisë së Madhe.