Presidenti amerikan Joe Biden bëri një paralajmërim të fortë ndaj Rusisë kundër përdorimit të një bombe me radioaktivitet ose të armëve të tjera taktike bërthamore në luftën në Ukrainë. Moska po akuzon Kievin se po përgatit një sulm me bomba kontaminuese në territorin e saj, dhe kreu I Shtëpisë së Bardhë u pyet nëse Rusia po sajon një operacion të rremë, për të justifikuar përdorimin e bombave të tilla nga forcat e veta.
“Do të bënte një gabim jashtëzakonisht të rëndë nëse do të përdorte armë taktike bërthamore. Ende nuk mund të them nëse ka ndonjë operacion të rremë, por garantoj se do të ishte një gabim shumë i rëndë”, tha Biden.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, thatë martën se ka arsye për shqetësim pasi Rusia “ka treguar një tendencë për akuzimin e të tjerëve për gjërat që po planifikon t’i bëjë vetë”. Price paralajmëroi për “natyrën themelore të pasojave” në rast Moska do të vendoste në përdorim armë të tilla.
“Kemi qenë shumë të qartë, publikisht dhe privatisht mbi pasojat e rënda që do të rezultonin nga përdorimi i armëve taktike bërthamore”.
Ambasadori i Rusisë në OKB, Vasily Nebenzya, i ka dërguar një letër Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres dhe Këshillit të Sigurimit, ku thuhet se Rusia “do ta konsiderojë përdorimin e një bombe kontaminuese nga regjimi i Kievit si një akt terrorizmi bërthamor”.
Akuzat e Rusisë u diskutuan në një takim me dyer të mbyllura të këshillit të sigurimit, mbrëmjen e së martës.
“Mendojmë se është një rrezik dhe kërcënim serioz. Ukraina e ka kapacitetin për ta bërë ketë. Zelensky dëshiron të shmangë humbjen, por gjithashtu kërkon edhe të përfshijë NATO-n në përplasje të drejtpërdrejtë me Rusinë”, tha ambasadori i Rusisë në OKB, Dmitry Polyanskiy.
Por përfaqësuesit e Britanisë së Madhe, Francës dhe Shteteve të Bashkuara thanë se nuk kishin parë prova qe të mbështesnin pretendimet e Moskës, duke i cilësuar ato si të rreme.
Edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg pohoi se akuzat e risisë se Ukraina po përgatitet të përdorë një bombë radioaktive në territorin e saj, janë një pretekst për përshkallëzim.