Nga Klodian Tomorri
Marrëzia nuk ka fund. Përkundrazi, tani është shndërruar në një garë se kush rend më shumë pas saj. Nisi me 20 katësha, që më vonë u bënë 30. Pastaj miratuan leje për kulla me 40 kate duke u justifikuar se Shqipëria duhet të kishte rrokaqiellin e parë. Tani nuk kanë më kufi.
Ky në foto është përbindëshi i ri i betonit që po ngulet në zemër të Tiranës. Një kullë me 58 kate, e cila do të ndërtohet tek Rruga e Kavajës, aty ku sot është Volkswageni. Ndërtuesi? Agron Papuli, një biznesmen të cilin opozita e cilëson mikun e ngushtë të kryeministrit Edi Rama.
Një ditë më parë, MCN publikoi ekskluzivisht vendimet e fshehta të KKT në korrik për miratimin e lejeve për 12 kulla të reja në Tiranë, një pjesë e të cilave në zonën më të dendur të saj, në ish Bllok. Për këto kulla lejet tashmë janë të zbardhura. Por me sa duket ka dhe të tjera në process. Dhe kulla tek Rruga e Kavajës, është një prej tyre.
Gara për kullat në Tiranë është aq e ethshme, saqë rekordi i lartësisë thyhet thuajse çdo vit. Donwtown One, kulla 40 katëshe e kompanisë Kastrati e gëzoi rekordin si ndërtesa më e lartë në Tiranë dhe Shqipëri, më pak se 1 vit. Tashmë kulla më e lartë do të jetë 58-katëshi tek Rruga e Kavajës. Por edhe kjo me gjasa do të rrëzohet shumë shpejt nga podiumi, pasi pak javë më parë u prezantua projekti për një tjetër shumëkatësh tek gropa e Hajdin Sejdisë.
Zakonisht garat sjellin zhvillim. Mirëqënia e përgjithshme e popullsisë rritet kur bizneset garojnë në treg se kush ofron produktin më të mirë me koston më të lirë. Kapitali human zgjerohet kur shkollat garojnë me njëra tjetrën për studentët më të mirë, e kështu më radhë. Por kjo e kullave është një garë që sjell shkatërrim.
Aktualisht Tirana urbane është një nga qytetet me dendësinë më të lartë të popullsisë në Europë. Në zona të caktuara të qytetit, dendësia e popullsisë shkon, sipas INSTAT, deri në 35 mijë banorë për kilometër katrorë. Përbindëshat e betonit që miratohen në seri vetëm do të shtojnë më shumë përqëndrimin e popullsisë në një qytet, i cili nuk ka parqe, nuk ka ka infrastrukturë, ka ndotjen më të madhe në Europë dhe është i zënë në kaps nga trafiku.
Ky paska qenë fundi tragjik i Tiranës, një qyteti të cilit identitetin ia kanë shkatërruar me kohë. Tani po i shkatërrojnë gjithçka tjetër, duke e shndërruar në një fjetore të madhe betoni, ku nuk mund të jetohet më. Dhe kur nesër Tirana të jetë shndërruar në një fantazëm urbane, ndoshta koha do të shkruajë edhe epitafin. “Ky qytet u vra nga vizioni i mbrapshtë i një udhëheqësi, grykësia e fitimeve te shpejta dhe paratë e krimit.”