Krerët e ushtrisë ruse kanë diskutuar përdorimin e armëve bërthamore taktike në Ukrainë. Këtë e thonë zyrtarë të lartë amerikanë, që citohen nga gazeta New York Times. Kjo bisedë ka alarmuar administratën e presidentit Joe Biden pasi tregon frustrimin e Moskës për dështimet e saj në fushëbetejë në Ukrainë.
Këtë raportim e komentoi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, duke e konsideruar atë të pavërtetë dhe të papërgjegjshëm. Ai tha se perëndimi në nivel zyrtar por edhe mediatik po bën një pompim të qëllimshëm të temës për përdorimin e armëve bërthamore dhe nënvizoi se pala ruse nuk do të marrë pjesë në këtë fushatë.
Sakaq, ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, shpreh shqetësim dhe për rritjen e numrit të trupave të vendeve të NATO-s në Europën qendrore dhe atë lindore si dhe në vendet e Ballkanit dhe ato Baltike. Gjatë një takimi virtual me homologë nga Bjellorusia, kreu i ushtrisë ruse përsëriti akuzën se perëndimi ndihmon Ukrainën në përcaktimin e shënjestrave, informacione të inteligjencës dhe se e furnizon atë me mercenarë të huaj.
“Ne jemi të vetëdijshëm për përpjekjet e Ukrainës për të krijuar një bombë bërthamore ‘të pistë’, si dhe gatishmërinë e saj për të vendosur armë bërthamore të NATO-s në territorin e saj”, tha Shoigu.
Shoigu pretendoi se kohëve të fundit presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u ka bërë thirrje vendeve perëndimore që të nisin sulme parandaluese bërthamore kundër Rusisë. Nga ana tjetër, vetë Zelensky ka folur për mundësinë e zgjerimit të konfliktit.
Presidenti ukrainas, në një intervistë për një media Çeke, nuk pranoi të bënte një vlerësim nëse Rusia do të përdorë ose jo armë bërthamore, por nënvizoi se nuk duhet pasur frikë lidhur me këtë temë.