Nga Blerina Ruka
Portali informativ Albanian Montreal Press celebroi këtë fundjavë 5 vjetorin e krijimit të tij, në provincën e Quebec në Kanada. Eventi i së shtunës i organizuar dhe drejtuar nga botuesja e AMPress, Blerina Ruka bëri bashkë mjaft personalitete shqiptare, bashkatdhetarë dhe të ftuar nga Toronto dhe Montreali në galerinë e njohur të artit Ambigu në Montreal.
Me rastin e 5 vjetorin të AMPress, të ftuarit prekën nga afër me duart e tyre botimin special, gazetën e Albanian Montreal Press, që u shtyp në mënyrë të posaçme për këtë takim të veçantë. Në gazetën prej 12 faqesh u prezantuan 10 shqiptarë që kanë bërë emër në komunitetin tonë të përqendruar në Kanada, por jo vetëm.
Ata janë shqiptarë me histori suksesi në fusha të ndryshme, si në financë, në drejtësi, në biznes, në teknologji, në mjekësi, art e kulturë. Është folur, shkruar e rrëfyer për gjithë rrugëtimin e tyre jo fort të lehtë duke dalë në pah sesi këmbëngulja, vullneti dhe pasioni u ka dhënë fatin të jenë sipërmarrës, profesionistë apo mbështetje orientimin edhe për pjesën tjetër të komunitetit.
Nëse 3 vite më herët, me po të njëjtën logo AMPress prezantoi një botim “Shqiptari i Montrealit“, ku në fokus ishin shqiptarët e Quebec, këtë herë gjeografia e përbërjes së gazetës solli në vëmendje veprimtarë të komunitetit edhe në provinca të tjera të Kanadasë, si Ontario, British Columbia, Calgary etj.
Në emër të këtij 5 vjetori bashkëpunim me komunitetin, pata nderin të ndajë eventin e mbrëmjes me profesor Ramazan Këllezi, koreografi i vetëm shqiptar, një emër i arti e i skenës, i njohur në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare, i laureuar me mjaft çmime ku së fundmi edhe nga ish-presidenti i Republikës ai u nderua me medaljen për “Merita të veçanta civile“ si dhe “Ambasador i Kombit“ nga Samiti i dytë i Diasporës. Prej 11 vitesh, me pasionin dhe punën e tij vullnetare, Ramazan Këllezi lë të vetmen gjurmë të trashëgimisë shpirtërore në Kanada me krijimin e ansamblit “Shqiponjat e vogla“.
Eventit të së shtunës iu bashkua edhe aktivisti shqiptar me banim në Toronto, Nador Bakalli, i cili shpjegoi për pjesëmarrësit rëndësinë e votës së diasporës në marrjen e vendimeve në politikëbërje në vendlindje. Në një kohë kur teknologjia dhe rrjetet sociale na sjellin më afër aktualitetin në Shqipëri, jo pak herë kemi bërë pozitën apo opozitën e ngjarjeve atje. Me një skemë të strukturuar, të detajuar dhe me një shpjegim mbi temën, biseda mbi temën e diasporës ngjalli interes dhe diskutim me të ftuarit.
Në pothuaj çdo ngjarje, tubim apo aktivitet të komuniteti shqiptar, por jo vetëm, nuk kishte si të mungonte performanca e këngëtares Xhoi Bejko, e cila absolutisht elektrizoi të ftuarit me këngë të përzgjedhura nga repertori i saj. Ansambli “Shqiponjat e vogla“, të ftuar për herë të parë në Montreal, i dhanë gjithë hijeshinë dhe rrëmbyen vëmendjen e të ftuarve me të gjitha vallet shqiptare, atë të Librazhit, të Tropojës, të Shupalit, vallet e Tiranës etj.
Me kostumografi të kuruar, me dëshirën për të transmetuar ndër breza folklor dhe krenari, të gjithë djemtë dhe vajzat e ansamblit ftuan të gjithë pjesëmarrësit në një dasmë tipike shqiptare. Faleminderit për bujarinë edhe rrjetit të bizneseve shqiptare në Kanada. Me shumë mirënjohje për të gjithë ata që ndanë me mua disa orë të së shtunës në 5 vjet AMPress, faleminderit të gjithëve!