Shtrenjtimi i çmimeve nuk po njeh ende një majë, teksa niveli i inflacioni është regjistruar në rritje edhe gjatë muajit tetor.
INSTAT e llogarit indeksin e çmimeve të konsumit 8.3% më të lartë se i njëjti muaj vitin e kaluar. Ushqimet dhe karburantet vijojnë të udhëheqin shtrenjtimin e kostove të jetesës, me çmime përkatësisht 15.2% dhe 21.1% më të larta.
Tek grupi i ushqimeve, po paguajmë veçanërisht më shtrenjtë për qumështin dhe bulmetet, bukën, mishin, perimet dhe vajin. Vetëm ky i fundit shënoi një ulje të lehtë çmimesh gjatë tetorit. Inflacioni ka dhënë një efekt zinxhir tek shërbimet, qiratë, mobiljet, pajisjet e shtëpisë, hotelet dhe restorantet, që kanë vazhduar të rrisin çmimet.
Por nga ana tjetër, rënia e konsumit është përkthyer në çmime më të ulëta për argëtimin dhe veshjet: dy lukse që familjet shqiptare po i kursejnë në këtë periudhë për të përballuar kostot e shtuara në çdo artikull dhe shërbim tjetër.
INSTAT e llogarit vlerën zyrtare të inflacionit mbi shpenzimet që kryen një familje mesatare shqiptare. Por për shtresat me më pak të ardhura, ku konsumi mbështetet kryesisht në ushqime, inflacioni është ndjeshëm më i lartë.