Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median britanike, Sky News. Rama thotë se është duke pritur një kërkesë falje nga qeveria britanike pas deklaratave të Sekretares së Brendshme, Suella Braverman që ngriti shqetësimin se emigrantët po pushtojnë Britaninë e Madhe. Ajo i cilësoi emigrantët shqiptarë “kriminelë që po pushtojnë Anglinë”. Kryeministri u shpreh se qëllimi i Braverman është që të sigurojë sa më shumë vota me deklarata të tilla. Ndërsa theksoi se pasojat do të jenë shkatërruese për shqiptarët në Mbretërinë e Bashkuar dhe vetë Britaninë.
“Nuk kam dëgjuar kurrë një falje, gjë që më bën të mendoj se në vend të shprehjes së ekzagjeruar të zhgënjimit, ky ishte një sulm i llogaritur. Dhe kjo është gjëja më shqetësuese. Kur kërkon falje, është në rregull – ndodhi. Kur nuk e bën, dhe kur e shmang, atëherë do të thotë se dëshiron diçka nga ajo që thuhet. Pra, do të thotë se ka një llogaritje pas saj. Do të thotë që vërtet po flet me një numër të caktuar votuesish që duan të dëgjojnë këtë. Dhe ju po i ushqeni me këtë sepse keni nevojë për votat e tyre. Por pasojat e kësaj mund të jenë shkatërruese për njerëzit, për njerëzit tanë në Britani dhe për vetë Britaninë.”- tha Rama.
Prej kohësh, mediat britikanike kanë ngritur alarmin për shqiptarët që shkojnë me gomone në Britaninë e Madhe dhe kërkojnë azil. Madje për disa kohë u konsiderua dhe ndërtimi i një kampi në Ruanda të Afrikës. Aty do të çoheshin të gjithë ata që do të hynin ilegalisht në Angli. Kjo pasi shqiptarët konsiderohen si persona që shkojnë në Angli për të punuar në krimin e organizuar si “fermerë” në shtëpitë e barit.