Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka kritikuar qasjen e Qeverisë së Kosovës në lidhje me çështjen e targave.
Hoti në një postim në Facebook shkruan se aleati kryesor i vendit, SHBA i kërkon Qeverisë së Kosovës të shtyjë zbatimin e vendimit për targat, ndërkaq Qeveria takohet me Petar Petkoviqin në Bruksel.
Ish kryeministri Hoti thekson se tashmë vendimi është marrë nga Qeveria dhe nuk ka çfarë të negociohet më.
“SHBA-ja, aleati ynë kryesor – i kërkon Qeverisë së Kosovës të shtyjë zbatimin e vendimit për targat, e këta shkojnë e takohen me Petkoviqin në Bruksel!!!
Vendimi për targat është marrë nga Qeveria. Çfarë ka për tu negociuar?!
Fatkeqësisht, këta qeveritarë na kanë futur në qorrsokak sa i përket dialogut, e na kanë dëmtuar partneritetin me aleatët. Fundi nuk mund të jetë i mirë”, shkruan Hoti.
Ndryshe, në Bruksel po mbahet takimi në mes zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe përfaqësuesit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
Kështu kanë bërë të ditur burime nga Brukseli për Telegrafin.
Ky takim vjen pas kërkesës për shtyrje të vendimit të Qeverisë së Kosovës për çështjen e targave ilegale.