Moti i keq ka shkaktuar një ngjarje të rëndë në Malësinë e Madhe. Një makinë, me të cilën po udhëtonin babai me dy fëmijët, është marrë nga rrjedha e ujit e përroi në vendin e quajtur “Grykë Lugje”.
Policia bën të ditur se vajza, e ndihmuar edhe nga një prej banorëve të zonës, ka mundur të dalë nga makina, në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa po vijojnë kërkimet për babë e bir, të cilët dyshohet se janë marrë nga rrjedha e ujit.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësisë e Madhe kanë marrë informacion se në vendin e quajtur “Grykë Lugje”, në njësinë administrative Shkrel, Malësi e Madhe, rrjedha e ujit të përroit kishte marrë përpara një automjet me të cilin udhëtonin tre persona, banorë të zonës. (babai, djali dhe vajza).
Në momentin që rrjedha e ujit ka marrë përpara automjetin që drejtohej nga shtetasi P. R., rreth 50 vjeç, vajza ka mundur të dalë dhe është ndihmuar nga një banor i zonës. Vajza ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa babanë e vajzës dhe vëllanë e saj i ka marrë rrjedhja e ujit.
Në vendngjarje ndodhen palombarët e RENEA-s, grupi i evakuim-shpëtimit, grupi alpin i FNSH Shkodër, emergjencat civile dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, të cilët po punojnë për gjetjen e dy shtetasve (babë e bir)”, njofton policia.