Ilaz Duli dhe miku i tij nga Bangladeshi kishin marrë pak ajër të pastër te hyrja e hotelit në natën e acartë të 20 janarit 2018, në hotelin më të madh të Kabulit, kryeqytet i Afganistanit. Bashkë do të ktheheshin në holl, ku po shpiheshin pasdarke shtetas të dhjetëra shteteve që ishin pjesë e misioneve të ndryshme ndërkombëtare në Kabul.
Pas përshëndetjes me mikun nga shteti aziatik që do të futej në ashensor, Duli do të bënte edhe disa hapa me telefonin në dorë në drejtim të recepsionit, shkruan sot Koha Ditore.
“Aty interneti ishte shumë më i fortë se në pjesët e tjera të hotelit”, nis rrëfimin Ilaz Duli në kafenenë e bijve të tij, “Stories”, në Prishtinë.
“Kam biseduar me familjen katër-pesë minuta dhe ka qenë ora tetë e tridhjetë apo tridhjetepesë kur e kam ndërprerë”, thekson Duli, duke kujtuar pastaj fjalët e fundit që ua kishte thënë anëtarëve të familjes. “Sot është e shtunë, të premten e javës së ardhshme vij në Kosovë, do të thotë pas gjashtë ditësh mbërrij dhe dikush del e më merr si zakonisht në aeroport”.
“.. sikurse NATO-ja kur ka bombarduar”
Por derisa Duli po fliste brenda me familjen në Prishtinë, gjashtë militantë talebanë kishin kaluar murin e lartë prej katër metrash të hotelit “Interkontinental” në Kabul dhe kishin mbërritur para dy gardianëve të armatosur të hyrjes. Kështu u ishin shmangur kontrolleve të pesë rampave.
“Por në momentin që e kam kryer bisedën dhe e kam vendosur telefonin në xhep, hapin e parë që e kam bërë për të shkuar te ashensori, i pari prej gjashtë talebanëve ka hedhur veten në erë për ta thyer kordonin dhe ka vrarë dy gardianët”.
Përnjëherë fuqia e shpërthimit do t’ia kujtonte Dulit bombardimet e NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe në luftën e Kosovës. “Eksplozivi ka qenë aq i fortë, sikurse NATO-ja kur ka bombarduar. Nuk e kam pasur larg as dhjetë metra”, tregon ai.