Argjentina ka mundësinë mbrëmjen e sotme të bëjë të harrohet disi ajo humbje turpëruese ndaj Arabisë Saudite, teksa do të ndeshet ndaj Meksikës në takimin e dytë në grup.
Lionel Messi do të ketë përballë një skuadër, e cila drejtohet nga ish-trajneri i tij te Barcelona Tata Martino.
Edhe pse me origjinë nga Rosario, Martino është profesionist dhe është shprehur para këtij takimi se do të bëjë të pamundurën për të mposhtur Argjentinën.
“Pas shortit, nuk do ta kishim imagjinuar kurrë një skenar si ky aktuali, por unë punoj për Meksikën dhe dua më të mirën për Meksikën. Dhe pastaj ju pyes: nëse ju të ishit në vendin tim, çfarë do të bënit? Sigurisht që do të bëj gjithçka që Meksika të fitojë”, – tha Tata Martino. – “E di se ku kam lindur, por duhet të bëj të pamundurën që Meksika të fitojë. Nuk mund të bëj ndryshe”.