Dua Lipa është rikthyer të komentojë edhe njëherë tjetër lajmet që e bënë atë artisten që do të këndonte në ceremoninë hapëse të Kampionatit Botëror. Ajo theksoi se “nuk ka asgjë kundër” Katarit, por pjesëmarrja në ceremoni do të dilte kundër parimeve të saj.
“Kupa e Botës është një mundësi vërtet unike për t’i kërkuar llogari Katarit. Ata u zotuan për të drejtat e njeriut kur nënshkruan marrëveshjen për Kupën e Botës, por kjo gjë nuk është përmbushur në të drejtat e punëtorëve dhe të emigrantëve, të drejtat e grave dhe të komunitetit LGBTQ”, tha Dua për Variety.
Në një reagim të mëparshëm në rrjetet e saj sociale, këngëtarja me origjinë shqiptare, shkroi:
“Nuk do të performoj dhe as nuk jam përfshirë në negociata për të performuar. Do të jem duke mbështetur Anglinë dhe mund ta vizitoj Katarin kur të ketë përmbushur të gjitha premtime që bëri për respektimin e të drejtave të njeriut, kur fitoi të drejtën për të organizuar Kupën e Botës”, shkroi Dua.
Vendimi i FIFA-s për ta organizuar Kupën e Botës në Katar është konsideruar kontrovers, sidomos duke marrë parasysh mosrespektimin e të drejtave të punonjësve emigrantë dhe komunitetit LGBTQ+ në vend.
Kujtojme se Dua Lipa mori së fundmi shtetësinë shqiptare dhe turin e saj botëror e përmbylli në Tiranë, ku mbushi sheshin “Skënderbej” për Festën e Flamurit.