Ndër të pranishmit në Samitin e BE-së me liderët e Ballkanit që po zhvillohet në Tiranë, ishte i pranishëm edhe kryeministri Aleksander Vuçiç, që pas një takimi të shpejtë me kryeministrin Edi Rama, deklaroi për mediat arsyet e ardhjes se tij në kryeqytetin shqiptar.
“Deklaruam se nuk do të ishim të pranishëm sepse pati një seri qëndrimesh të ndryshme, disa reagime gjysmëzyrtare për Kosovën, kjo ishte arsyeja kryesore, por në fund, pas konsultimeve që diskutuam brenda shtetit, vendosëm të vinim këtu për të folur për problemet dhe se çfarë mendojmë se jemi të përkushtuar në rrugëtimin drejt dialogut dhe të negociatave në BE, por në të njëjtën kohë duhet të mbrojmë interesat e vendit tonë, në përputhje me Kushtetutën tonë”, deklaroi ai.
Lidhur me pritshmëritë për Samitin, Vuçiç u duk pragmatist. “Nuk po them se nuk jam optimist, jam këtu të mësoj dhe të dëgjoj nga njerëz të ndryshëm këtu dhe në fund të tregoj pozicionin e Serbisë. Është e rëndësishme të marrim lajme të mira, ka dy të tilla mbështetjen e BE-së për energjinë dhe tarifat roaming, kjo është e mirë për qytetarët e Ballkanit, do të dëgjojmë për strategjinë e BE-së për të ardhmen, e kjo ka rëndësinë maksimale për ne”.
Temë e nxehtë në bisedime do të jetë edhe statusi delikat i Beogradit si aleati i vetëm i Moskës në Ballkan.
“Serbia është vend i pavarur, ne i dimë detyrimet tona për harmonizimet ndaj vendimeve të BE-së, por kemi një situatë të ndryshme për integritetin territorial të Serbisë që është shkelur në mënyre skandaloze në vitin 1999 e 2008, dhe do ta diskutojmë sot”. Ai përdori edhe një referim filozofik për të shpjeguar situatën.
“Serbia është afër Rusisë, atyre që na kritikojnë për këtë i kujtoj atë që filozofi Leibniz e quante mënyrë të mjaftueshme për të kritikuar kur nuk ke arsye. U tha se po ndiqnim udhëzimet e Moskës për të shkaktuar destabilizim në Ballkan dhe ne e kemi përgënjeshtruar me vepra këtë, është e lehtë të ekspozosh çdo lloj falsiteti, por e vërteta del, jemi drejt rrugëtimit europian dhe kështu do të mbetet.