Tani është e ligjshme që gratë dhe burrat të jenë topless në plazhet e ishullit popullor të pushimeve të Nantucket, në brigjet e Massachusetts.
Në fillim të këtij viti, një fushatë e udhëhequr nga vendasit “Barazia Gjinore në Plazhe” propozoi një ndryshim të aktit nënligjor që do ta bënte të ligjshëm për cilindo të çdo gjinie të dalë nudo nga mesi e lart.
Megjithëse votuesit e Nantucket kishin votuar “PO” për aktin nënligjor të propozuar në maj, vendimi u bë zyrtar kur Prokurorja e Përgjithshme e Massachusetts Maura Healey e miratoi atë më 6 dhjetor.
Sipas ligjit të mëparshëm, gratë mund të gjobiten me 300 dollarë dhe të përballen me një dënim deri në tre vjet burg nëse kapen topless në ishull.
Lakuriqësia publike, veçanërisht në plazhe, mbetet për debat në shumë pjesë të Shteteve të Bashkuara. Në vitin 2021, marka e rrobave të banjës në Mbretërinë e Bashkuar “Pour Moi” krijoi një hartë që tregon rregullat e ndryshme rreth banjove diellore topless dhe/ose nudo në shtete të ndryshme të SHBA-ve.
Massachusetts u kategorizua si një vend ku “lakuriqësia publike konsiderohet e papranueshme, por ka plazhe nudiste jozyrtare ose raporte që banja dielli topless është në rregull në vende të veçanta”.
Nantucket, një ishull 105 milje katrorë larg Cape Cod, është një nga destinacionet më të njohura të pushimeve verore në SHBA.
Muzikantja Carly Simon, ekzekutivi i Google, Eric Schmidt dhe Kourtney Kardashian janë ndër personazhet e famshëm që thuhet se kanë shtëpi atje.