Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pas takimit me përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosovës, tha se heqja e barrikadave do të nisë mëngjesin e sotëm.
“Për 24 orë apo 48 orë do të hiqen barrikadat”, theksoi Vuçiç, pasi tha se janë dhënë garanci se kërkesat e serbëve do të plotësoheshin.
Vuçiç, mbrëmjen e 28 dhjetorit, u takua në kazermën e Ushtrisë Serbe në Rashkë, afër kufirit me Kosovën, me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova për heqjen e barrikadave.
Në takim, Vuçiç tha se Dejan Pantiç ka mbërritur në shtëpi dhe se kjo është një “fitore simbolike”. Arrestimi i ish-policit serb, për të cilin Kosova dyshon se ka sulmuar anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka qenë arsyeja e barrikadave që përfaqësuesit serbë në veri të Kosovës vendosën që nga 10 dhjetori. Lirimi i tij është një nga kushtet për heqjen e bllokadave dhe më 28 dhjetor autoritetet në Kosovë ndryshuan masën e sigurisë, nga paraburgimi në arrest shtëpiak.
Vuçiç tha se kërkesa e tyre e dytë ishte që “njerëzit që ishin në barrikada të mos ndiqen penalisht”.
“Këtë e kemi të shkruar në letër, padyshim”, theksoi Presidenti serb.