Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për Kosovapress tha se s’ka pasur asnjë marrëveshje të fshehtë me Serbinë për largimin e barrikadave në veri. Ai thekson se garancia e vetme që i kanë dhënë ndërkombëtarëve ka qenë se s’ka lista për arrestime në veri. Kreu qeveritar e mohon kategorikisht se ka dhënë garanci për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Nuk ka pasur kurrfarë marrëveshje të fshehtë. Ka pasur takime me KFOR-in dhe ka pasur takime me EULEX dhe ka pasur takime me ambasadorët e QUINT-it, në veçanti me atë të ShBA-së. Meqë rast ne vazhdimisht kemi thënë se durimi i qytetarëve dhe qeverisë po shteron, andaj ne japim ca më shumë kohë dhe ca më shumë hapësirë KFOR-it, por kjo nuk mund të jetë e pafundme. Por gjithashtu, nga takimet që kemi pasur kemi filluar të vërejmë angazhimin e tyre të shtuar drejt largimit të atyre barrikadave, andaj në ditën e diel e patëm thënë se është çështje ditësh se kur do të largoheshin këto barrikada”, deklaroi Kurti.
Kurti vijoi duke thënë se “ nëse nuk do të largoheshin nga KFOR-i atëherë do të detyrohej Policia e Kosovës ta bënte këtë. Ajo mua më ka bindur drejtpërdrejtë kur i kam vizatuar se e ka jo vetëm vullnetin por edhe kapacitetet për largim efikas të atyre barrikadave”.
Kryeministri kosovar flet për garancitë e dhëna. “ E vetmja garanci që kemi dhënë ne është ajo që tashmë e ka thënë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, se Qeveria dhe Policia e Kosovës nuk posedon lista për arrestime. Ne nuk kemi lista të njerëzve që ndjekim apo përndjekim. Mirëpo garanci të tjera për neve janë Kushtetua, rendi dhe ligji dhe gjithmonë për hire të paqes dhe sigurisë, koordinimi me faktorët ndërkombëtar që janë partnerë dhe miqtë tanë.”