Punonjësit shqiptarë, si meshkuj, ashtu dhe femra, kanë oraret më të gjata të punës në Evropë, që arrijnë deri në 50 orë në javë.
Gjetjet për orët e punës janë publikuar në një raport të fundit të Komisionit Evropian për kushtet e punës dhe implikimet në të ardhmen. Sondazhi realizohet një herë në pesë vjet nëpërmjet anketimeve me 70,000 punëtorë në 36 vende europiane.
Këtu përfshihen shtetet anëtare të BE-së, Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia, Zvicra, Shqipëria, Bosnjë dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, raporton Monitor.
Meshkujt shqiptarë punojnë rreth 50 orë në javë, ndërsa femrat rreth 45 orë në javë. Pas shqiptarëve renditen grekët, serbët, malazezët, rumunët dhe shtetasit e Kosovës.
Orët e larta të punës në Shqipëri duken të lidhura me dy faktorë, së pari puna edhe gjatë fundjavave dhe së dyti niveli i lartë i të vetë-punësuarve, që Shqipëria e ka rekord në rajon me rreth 36 për qind të totalit të të punësuarve (shënim i Monitor).
Sipas raportit, mesatarisht, në BE-27 burrat raportuan se punonin pak më shumë se 42 orë në javë, ndërsa gratë punonin afërsisht 37 orë.
Java klasike 40-orëshe mbeti standard në vitin 2021 në shumicën dërrmuese të vendeve, përveç Francës (35 orë), Danimarkës (37 orë), Norvegjisë (38 orë) dhe Zvicrës (42 orë). Rreth 20% e të gjithë punëtorëve (31 për qind e grave dhe 12 për qind e burrave) punonin 34 orë ose më pak në javë.
Në vitin 2021, rreth gjysma e burrave dhe grave punonin midis 35 dhe 40 orë në javë. Mesatarisht, të vetë-punësuarit shpenzuan 6.4 orë më shumë në punë me pagesë (4.3 orë më shumë për gratë dhe 6.9 orë më shumë për burrat) sesa punonjësit.
Raporti thekson se orët e gjata të punës shoqërohen me kushte shëndetësore si depresioni, ankthi, çrregullimet e gjumit dhe sëmundjet koronare të zemrës dhe mund të ndikojnë ekuilibrin midis punës dhe aspekteve të tjera të jetës.
Në vitin 2021, 19 për qind e punëtorëve në BE27 (13 për qind e femrave dhe 24 për qind e meshkujve) raportuan se punonin 48 orë ose më shumë në javë. Përqindjet mes të vetë-punësuarve ishin më të mëdha: 52 për qind e meshkujve dhe 35 për qind e femrave.
Orari i zgjatur i punës është raportuar nga më shumë se gjysma (58 për qind) e të vetë-punësuarve me të punësuar, 40 për qind e të vetë-punësuarve të vetëm dhe rreth 14 për qind e të punësuarve.
Orët e gjata janë raportuar më shpesh nga punëtorët në bujqësi, menaxherët dhe operatorët e impianteve dhe makinerive, si dhe në sektorët e bujqësisë, transportit dhe ndërtimit. Orët e gjata ishin gjithashtu më të zakonshme në mikro-vendet e punës sesa në vendet më të mëdha të punës.
Përqindja e punëtorëve që raportuan se punonin 48 orë ose më shumë në javë ndryshonte shumë sipas vendit: 34 për qind e punëtorëve në Greqi, 26 për qind në Rumani, 24 për qind në Poloni dhe 23 për qind në Çeki, por vetëm 10 për qind e punëtorëve në Holandë dhe 9% në Danimarkë.
Në vitin 2021, një javë pune pesë-ditore ishte normë për burrat dhe gratë në të gjitha Shtetet Anëtare të BE-së.
Gratë në Holandë janë një përjashtim, pasi shumica e tyre zakonisht punojnë katër ditë në javë.
Shumica dërrmuese e punëtorëve (70 për qind) raportuan se kishin një javë pune pesë-ditore, ndërsa pjesa tjetër ndahej pothuajse në mënyrë të barabartë midis punës katër ditë ose më pak (16 për qind) dhe punës gjashtë ose shtatë ditë (15 për qind) në javë.
Një javë pune katër-ditore, e cila është diskutuar kryesisht si një mekanizëm për të përmirësuar mirëqenien e punëtorëve dhe ekuilibrin punë-jetë dhe për të krijuar potencialisht më shumë vende pune dhe për të reduktuar papunësinë, u raportua nga afërsisht 8 për qind e punëtorëve në BE27 (6 për qind e burrave dhe 10 për qind e grave).