Ambasada amerikane në Kosovë ka sqaruar rastin e pëlqimit të një lajmi në Twitter të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç i cili theksoi disa shtete kanë tërhequr njohjen e shtetit të Kosovës.
Në lajmin e postuar në Twitter, Vuçiç tregon emrat e shteteve që sipas tij kanë tërhequr njohjen e shtetit të Kosovës, e postim ky që kishte marr reagime të ndryshme.
E lidhur me këtë, Ambasada amerikane në Prishtinë ka theksuar se nuk kanë pëlqyer qëllimisht asnjë postim në Twitter në 24 orët e fundit dhe se pavarësia e Kosovës është fakt.
“Të jemi të qartë: Pavarësia e Kosovës është fakt. Qëllimi ynë parësor është të mbështesim Kosovën pasi ajo zë vendin e saj të merituar në strukturat evropiane dhe euroatlantike.
Ne kundërshtojmë kategorikisht çdo përpjekje për të vënë në pikëpyetje pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës”, thuhet në reagimin e Ambasadës amerikane.
Në reagim më tej thuhet se llogaria zyrtare e Ambasadës së SHBA në Twitter nuk ka “pëlqyer” qëllimisht asnjë postim në Twitter gjatë 24 orëve të fundit.
“Siç u përmend më herët: kur kemi një pozicion për të artikuluar, ne e bëjmë këtë nëpërmjet deklaratave zyrtare, që i atribuohen – jo nga një ‘like’ i mediave sociale”, thuhet në reagim.
Ndryshe, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se nëntë shtete e kanë tërhequr njohjen e Kosovës dhe se shteti i dhjetë është ende në pritje.