“Mos e quani thjesht makinë, i lëndohen ndjenjat”. Kryeveprat e reja të BMW ndryshojnë “fytyrë” dhe ngjyrë sipas humorit
Gjiganti gjerman i prodhimit të makinave, BMW, prezantoi këtë fillimjanari dy makina të reja, të cilat ndryshojnë ngjyrën sipas humorit të pronarit. Të dyja makinat janë thuajse identike, quhen koncepti “I Vision DEE”. “DEE” do të thotë “Digital Emotional Experience” ose “Përvojë Emocionale Digjitale”. Një version i makinave është i pajisur me panele që ndryshojnë ngjyrë.
Vitin e kaluar, BMW prezantoi me krenari një tjetër makinë që ndryshonte ngjyrë, por vetëm mes varianteve të së bardhës, grisë dhe të zezës. Këtë vit, janë përfshirë “të gjitha ngjyrat e ylberit” dhe përtej. Madje, edhe rrotat ndryshojnë ngjyrë.
Makina tjetër është pajisur me një “ndërfaqe të përdoruesit” që u mundëson shoferëve të ndërveprojnë me makinën e tyre, jo vetëm nga brenda, por edhe nga jashtë.
Sa i përket pamjes së jashtme, kofano dhe pjesë të tjera të makinës ndryshojnë në varësi të “humorit” të shoferit, ose vetë makinës, sikur të ishin mimika të fytyrës. Sipas BMW, makina mund të shfaqë disa gjendje emocionale, si miratim, lumturi apo habi.
Makina gjithashtu ka një ekran të madh që shtrihet në të gjithë xhamin e përparmë, një funksionalitet që BMW synon ta fusë në të gjitha makinat prodhim serie që prej vitit 2025. Në makinën koncept imazhet, që kryesisht do të jenë transparente për të lejuar pamjen, shfaqen edhe në xhamat e dyerve.
Në ekran do të shfaqen disa lloj të dhënash, nga ato bazike si kilometrazhi apo niveli i karburantit, deri te më të ndërlikuarat, si një avatar i vetë pronarit të makinës, apo një panel i lëvizshëm kontrolli.
Dy makinat e reja janë vetura të ulëta, jo si versioni i vitit të kaluar që ishte SUV. Sipas kompanisë, kjo është bërë sepse veturat janë pjesa më e rëndësishme e BMW. “Ju lutem mos e quani thjesht një makinë, do t’i lëndoni ndjenjat. Ajo preferon të mendojë se është një premtim, një përkushtim, ose më mirë të themi, një shoqërues”, tha CEO i BMW, Oliver Zipse, gjatë prezantimit.
Në skenë me të ishte edhe ylli i kinematografisë, Arnold Schwarzenegger, i cili lavdëroi BMW për qasjen që ka ndaj teknologjisë, duke e cilësuar si aleat. “Në shumicën e filmave, makinat janë armiku. Por sot kemi gjetur mënyra për ta përdorur teknologjinë si një aleat”, tha protagonisti i “Terminator”. “Teknologjia mund të zgjidhë shumë nga problemet më të mëdha që kemi. Mund të ndryshojë botën. Dhe siç e keni parë, mund të jetë shumë argëtuese”.