Njësia e policisë britanike kundër terrorizmit po zhvillon hetime pasi punonjësit e kufirit zbuluan gjurmë uraniumi në një ngarkesë në aeroportin Heathrow në Londër.
Policia Metropolitane njoftoi të mërkurën se me 29 dhjetor kishin gjetur gjurmë të një sasie mjaft të vogël uraniumi gjatë procesit rutinor të skanimit të një pakete me destinacion Mbretërinë e Bashkuar. Komanda kundër terrorizmit po zhvillon hetime ndërsa ende nuk ka të arrestuar.
Sipas njoftimeve nga rrjeti BBC, uraniumi ishte në një ngarkesë skrap metali. Gazeta “The Sun”, e cila raportoi fillimisht mbi ngjarjen, tha se dërgesa e kishte origjinën në Pakistan dhe mbërriti në një avion nga Omani.
Richard Smith, drejtues i komandës kundër terrorizmit, tha se sasia e materialit të kontaminuar ishte “jashtëzakonisht e vogël dhe është vlerësuar nga ekspertët se nuk përbën kërcënim për publikun”.
Ai tha se “nuk duket të ketë lidhje me ndonjë kërcënim të drejtpërdrejtë”, ndërkohë që vazhdojnë hetimet.
“Do të hetojmë në çdo drejtim për të gjetur origjinën dhe për t’u siguruar se nuk përbën kërcënime të mëtejshme”, tha ai. Zëdhënësi i Kryeministrit Rishi Sunak nuk pranoi të komentonte lidhur me hetimet.