Noel Le Graet u pezullua nga detyra e presidentit, pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Ekzekutivit të federatës franceze të futbollit.
Njeriu që e drejtonte institucionin prej vitit 2011 dhe që duhej të qëndronte në detyrë deri në fund të 2024-s, u përfshi në skandale të njëpasnjëshme.
Duke nisur nga deklaratat kontroverse për Zidane, ku pyetjes nëse legjenda e futbollit ka shprehur interes për të marrë drejtimin e përfaqësueses, ai iu përgjigj se “nuk do t’ia hapte telefonin”. Pas atyre fjalëve reaguan Kylian Mbappe, klubi i Real Madrid dhe ministrja franceze e sporteve, duke e detyruar kreun e federatës të kërkonte falje.
Sikur, ajo tronditje të mos mjaftonte, goditja fatale erdhi pas akuzave për ngacmim seksuale nga menaxherja Sonia Saoud. Pas këtyre episodeve, ekzekutivi i federatës franceze vendosi ta pezullonte nga detyra 81-vjeçarin, së bashku me drejtorin e tij të përgjithshëm, Florence Hardouin.
Le Graet largohet deri në pritje të publikimit të raportit të auditit nga Ministria e Sporteve në Francë, për të zbardhur akuzat për ngacmim seksual, por edhe rreth problematikave të tjera brenda institucionit, të cilësuara si “situata kritike”.
Në rolin e presidentit të përkohshëm është emëruar Philippe Diallo. Edhe zyrtarët e qeverisë franceze, apo politikanët janë shprehur se Federata e Futbollit meriton një drejtues në lartësinë e detyrës, i cili do t’i japë një imazh të mirë Francës në sytë e botës.