Ka ndërruar jetë ish ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sabahajdin Cena. Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë ngushëlluar familjarët dhe miqtë e Cenës, duke e vlerësuar si zërin intelektual dhe çlirimtar i Kosovës në ditët më të vështira.
“Me dhembje morëm lajmin për vdekjen e atdhetarit e profesorit të shquar, Sabahajdin Cena, i cili kontribuoi për vite me radhë edhe në Degën e PDK-së në Rahovec, prej themelimit duke qenë edhe kryetar i kësaj dege për një mandat. Figura intelektuale dhe emblematike e profesorit Cena, i cili ishte edhe luftëtar i UÇK-së, do të nderohet e kujtohet përherë me respektin më të madh. Ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë dhe bashkëpunëtorët e profesor Cenës!”, thuhet në telegramin e ngushëllimit.
Ndërkaq, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj shkruajti se me vargjet e poetëve shqiptarë u jepte zemër ushtarëve të UÇK-së, të etur për lirinë e vendit.
“Me pikëllim të thellë mora lajmin për vdekjen e intelektualit dhe atdhetarit të madh, Prof. Dr Sebahajdin Cena! Ai ishte zëri intelektual dhe çlirimtar i Kosovës në ditët më të vështira. Me vargjet e poetëve shqiptarë u jepte zemër ushtarëve të UÇK-së, të etur për lirinë e vendit”, ka shkruar Haradinaj.