Nisma është “kamufluar” si një platformë inovatore për tu përdorur nga të gjithë ata që duan të bëhen një zë në shoqëri, mirëpo në fakt qëllimi është krejt tjetër.
Prej ditësh po flitet në rrjet për një aplikacion të ri, që thuhet se do të shërbejë për të kontrolluar administratën. Ashtu siç Dosja.al raportoi tre ditë më parë (LEXO KËTU), Partia Socialiste ka krijuar aplikacionin “Aktiv1st” e cila mund të shkarkohet nga të gjithë poseduesit e një celulari smart.
Mirëpo, edhe pse nisma është “kamufluar” si një platformë inovatore për t’u përdorur nga të gjithë ata që duan të bëhen një zë në shoqëri, në fakt qëllimi është krejt tjetër.
“Aktiv1sti” është një aplikacion që kontrollon aksionin e administratës në rrjetet sociale. E sqaruar thjeshtë: të gjithë punonjësit e administratës marrin njoftime për lajme dhe postime që bëjnë kryeministri dhe ministrat në rrjetet sociale, dhe më pas ata duhet të bëhen vërtet “Aktiv1st”, duke bërë “pëlqime”, “komente” dhe “shpërndarje” të njoftimeve që bëhen ne rrjetet sociale.
Në bazë të komenteve, të shpërndarjeve apo të pëlqimeve që një përdorues bën në postimet e Ramës, Veliajt dhe ministrave, personi vlerësohet nëpërmjet një sistemi pikëzimi. Sa më shumë pëlqime, shpërndarje dhe komente, aq më shumë pikë fiton përdoruesi. Në këtë kontekst, sa më shumë pikë që ai person ka në aplikacion, aq më shumë vlerësohet.
Ja ç’thuhet në prezantimin e platformës në Google Play dhe App Store:
Kjo platformë e Partisë Socialiste të Shqipërisë, i jep mundësinë çdo personi që ka ide dhe dëshirë, të jetë pjesëmarrës në gara lokale ose kombëtare, të çojë përpara nismat e tij, si dhe të jetë një faktor aktiv në komunitetin ku jeton. Aktiv1st është një platformë inovatore, e thjeshtë për tu përdorur nga të gjithë ata që duan të bëhen një zë në shoqëri, duan të jenë nismëtarë ose mbështetës të kauzave në komunitetet e tyre. Platforma është një hapësirë e përbashkët inovative që vlerëson angazhimin dhe iniciativën, si dhe i jep zërin e duhur atyre që duan të kontribuojnë më shumë për të mirën e përbashkët, në nivel lokal dhe kombëtar. Në zemër të aktivizmit politik, në vetëm 3 hapa.
Hap profilin tënd dhe bëhu pjesë e një komuniteti virtual, i cili nëpërmjet një sistemi transparent të pikëzimit, vlerëson iniciativën dhe dëshirën për të angazhuar individë me interesa të ngjashme për të arritur më shumë dhe për të çuar përpara kauza të caktuara. Aktiv1st mbështetet tek një sistem pikëzimi, i cili ndërveprimet me platformën on-line i përkthen në një vlerësim të pasqyruar në “leaderboard”, sipas të cilit do të vlerësohen dhe individët, të cilët shfaqin më shumë iniciativë. Ky aplikacion mundëson që përdoruesi të ushtrojë aktivizmin dhe të informohet në kohë reale, në të njëjtën hapësirë virtuale. Platforma përfshin dhe një seksion për lajme, duke u bërë një kanal të mirëfilltë informimi, ku lajmet ngarkohen në kohë reale, në mënyrë që përdoruesit të jenë të azhornuar me gjithë zhvillimet e fundit nga politika dhe jo vetëm.
Një ditë më parë, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha komentoi në daljen për mediat këtë aplikacion. Berisha, njëjtë si artikulli i Dosja.al, u shpreh se ky aplikacion është detyrim për administratën dhe përllogarit çdo ‘like’ apo ‘koment’. Mirëpo, kreu i PD-së, nuk do që ky aplikacion të jetë në qarkullim, e sidomos para fushatës elektorale për 14 Majin. Ai kërkon nga themeluesi i Facebook dhe Elon Musk që ta anulojnë aplikacionin e Ramës.
‘I bëj thirrje Zuckenberg, Elon Musk që të ndryshojë praktikën e abuzimit me rrjetet e tyre sociale nga ai njeri që nuk ka parim, të shqyrtojnë mundësinë e heqjes të kësaj dhe ta anulojnë këtë aplikacion’– tha ditën e djeshme, Berisha.
Presioni duket se është në rritje për punonjësit e administratës para nisjes së fushatës zgjedhore të ’14 Majit’. Kjo periudhë do jetë e ngarkuar për to pasi duhet të jenë vigjilentë, me telefon në dorë, të ndjekin çdo hap të Qeverisë Rama duke mos iu shpëtuar asgjë… pasi janë nën vëzhgim. Në këto kushte s’mbetet gjë tjetër, veçse të themi: Le të triumfojë ai punonjës i administraës që ka më shumë pikë!