Të hënën në Prishtinë protestohet për ndarjen e çmimit Nobel për Handken

albnews
By
3 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Akademia Suedeze e Shkencave sivjet shpërbleu me çmimin Nobel për Letërsi, autorin austriak Peter Handke, një mbështetës i gjenocidit dhe luftërave në ish-Jugosllavi nën regjimin e Slobodan Millosheviqit.

Ndarja e Nobelit për Handke u cilësia vendim skandaloz nga përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës por edhe nga njohës të letërsisë botërore. Madje, në Prishtinë të hënë pritet të mbahet protestë para Ambasadës së Suedisë, duke kërkuar anulimin e Nobelit për Letërsi 2019.

Për profesorin Bardh Rugova, ndarja e Nobelit për Letërsi 2019, për shkrimtari austriak Peter Handke, është zgjedhje e gabuar dhe shumë e dëmshme.

Rugova thotë të ketë lexuar një libër nga Peter Handke, dhe sipas tij, nuk ishte ndonjë vlerë e tillë sa të meritonte një çmim të këtij niveli.

Ndërsa regjisori Ben Apolloni ka thënë se të hënën nga ora 11:00, do të organizohet protestë para Ambasadës suedeze në Prishtinë, për të kërkuar anulimin e Nobelit për Letërsi 2019.

Anulimin e vendimit të Akademisë Suedeze e ka kërkuar edhe Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, si “akt mirëkuptimi e solidariteti me të gjithë popujt e botës që luftojnë për liri dhe vlera demokratike”.

ASHAK është shprehur e zhgënjyer thellësisht me ndarjen e sivjetshme të çmimit Nobel për Letërsi për shkrimtarin austriak, Peter Handke.

“Peter Handke nuk ishte në anën e drejtë të historisë së popujve të Ballkanit dhe as të Kosovës; nuk ishte në anën e ndritshme të ideve, por gjeti strehë në anën e errët të ngjarjeve tragjike të Ballkanit”, thuhet në reagimin e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Për ndarjen e Nobelit për Letërsi 2019, ka reaguar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sipas të cilit, vendimi i Nobel ka sjell dhimbje të pamasë te viktimat e panumërta.

Edhe Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka reaguar duke thënë se Komiteti i Nobel’it i ka dhënë çmimin njeriut të gabuar.

Menjëherë pas vendimit të Akademisë Suedeze, ka reaguar edhe ambasadorja e Kosovës në Nju Jork, Vlora Çitaku duke e konsideruar skandaloz vendimin e komitetit Nobel për të shpërblyer shkrimtarin Peter Handke.

Edhe Rrjeti i Grave të Kosovës i është bashkuar zërave vendorë dhe atyre ndërkombëtarë duke dënuar ashpër ndarjen e çmimit për shkrimtarin austriak, Peter Handke.

Jo vetëm institucionet e Kosovës, por edhe profesorë botërorë nuk janë pajtuar me këtë vendim.

Share This Article