Tanket perëndimore do të kenë pasoja negative, por nuk do të ndryshojnë kursin e luftës. Ky ishte mesazhi i Kremlinit për aleatët perëndimorë, të mbledhur në Gjermani për të diskutuar mbi mundësinë e armatosjes së Ukrainës me tanket e avancuara.
Zëdhënësi Dmitry Peskov, akuzoi aleatët e Kievit se po i shtonin probleme ukrainasve duke ushqyer iluzionet për sukses në fushëbetejë.
“Pasojat do të jenë negative, sigurisht. Ne e kemi thënë vazhdimisht se furnizimi i Ukrainës me tanke nuk do të ndryshojë asgjë në terren, madje do t’ia shtojë problemet Ukrainës dhe popullit të saj. Nuk duhet të mbivlerësojmë rëndësinë e armatimeve të tilla duke menduar se mund të ndryshojnë diçka”, tha Peskov.
Kremlini theksoi se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara ishin në pikën më të ulët të gjitha kohërave, dhe hodhi poshtë idenë se dy palët mund të përmirësonin marrëdhëniet gjatë mandatit të Joe Biden në krye të Shtëpisë së Bardhë.
Marrëdhëniet e krisura mes SHBA dhe Rusisë u shkëputën më tej vitin e kaluar, pas nisjes së luftës ruse në Ukrainë duke nxitur Uashingtonin dhe aleatët të ndërmarrin një sërë sanksionet kundër ekonomisë ruse.
SHBA i ka siguruar Kievit ndihmë të konsiderueshme ekonomike dhe ushtarake duke nxituar akuzat e zyrtarëve rusë për përfshirjen direkte të Uashingtonit në konflikt.
Edhe pse ka pasur suksese të izoluara diplomatike, përfshirë shkëmbimin e të burgosurve, kontaktet e nivelit të lartë kanë qenë thuajse inekzistente.