Ibrahim Rugova, simbol i udhës paqësore drejt fitores së Pavarësisë së vendit. Jetoi e veproi deri në fund për popullin dhe vendin e tij, duke lënë një trashëgimi të jashtëzakonshme si njeri i kulturës, si kultivues i paqes e burrë shteti largpamës
Si sot, me 21 janar 2006, Kosova dhe shqiptarët përjetuan me hidhërim vdekjen e parakohshme të liderit dhe Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova. Dr Ibrahim Rugova simbol i udhës paqësore drejt fitores së Pavarësisë, qe prijës i vlerave demokratike, i qëndresës qytetare, misionar i paqes, vizionar e arkitekt i pavarësisë së Shtetit të Kosovës, mik e bashkëbisedues i çmuar i Bashkësisë Ndërkombëtare në Ballkan.
Dr. Ibrahim Rugove paraqiti gjendjen e rëndë të të drejtave njerëzore në Kosovë, duke e ndërkombëtarizuar këtë çështje e duke çuar zërin për respektimin dhe mbrojtjen e dinjitetit të çdo njeriu dhe të një populli të tërë. I frymëzuar nga personalitete të mëdha të së kaluarës e të kohës, si ipeshkvi i madh shqiptar imzot Pjetër Bogdani, Gandhi, Martin L. King, V. Havel, Papa Shën Gjon Pali dhe Shёn Nënë Tereza – Ganxhe Bojaxhiu, dr. Ibrahim Rugova jetoi e veproi deri në fund për popullin dhe vendin e tij, duke lënë kështu një trashëgimi të jashtëzakonshme si njeri i kulturës, si kultivues i paqes e burrë shteti largpamës.
Ibrahim Rugova në jetën personale, në veprimtarinë kulturore, shoqërore, politike e atё publike, siç u shpreh në bisedë me redaksinë shqipe të Radio Vatikanit me 1999, pati si frymëzim disa figura e personalitetet si Shën Gjon Pali II, Shenjta Nënë Terezë e kryeipeshkvi madh shqiptar imzot Pjetër Bogdani.