Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka bërë thirrje për “veprim të menjëhershëm dhe të bashkërenduar” për të mbrojtur fëmijët nga ilaçet e kontaminuara pas një morie vdekjesh të fëmijëve të lidhura me shurupet e kollës vitin e kaluar.
Në vitin 2022, më shumë se 300 fëmijë – kryesisht të moshës nën 5 vjeç – në Gambi, Indonezi dhe Uzbekistan vdiqën nga dëmtimi akut i veshkave, në vdekje që shoqëroheshin me ilaçe të kontaminuara, tha OBSH në një deklaratë të hënën, përcjell Telegrafi.
Ilaçet, shurupet e kollës pa recetë, kishin nivele të larta të “diethylene glycol” dhe “ethylene glycol”.
“Këta ndotës janë kimikate toksike që përdoren si tretës industrialë dhe agjentë antifriz që mund të jenë fatale edhe të merren në sasi të vogla dhe nuk duhet të gjenden kurrë në ilaçe”, citohet të ketë thënë OBSH.
Sikurse te vendet e mësipërme, OBSH i tha Reuters të hënën se Filipinet, Senegali dhe Kamboxhia mund të ndikohen potencialisht sepse mund t’i kenë ilaçet në shitje.
“Meqenëse këto nuk janë incidente të izoluara, OBSH u bën thirrje palëve të ndryshme kyçe të përfshira në zinxhirin e furnizimit mjekësor të ndërmarrin veprime të menjëhershme dhe të koordinuara”, ka thënë më tej OBSH.
OBSH ka dërguar tashmë alarme specifike për produkte në tetor dhe në fillim të këtij muaji, duke kërkuar që ilaçet të hiqen nga raftet, për shurupet e kollës të prodhuara nga Maiden Pharmaceuticals dhe Marion Biotech e Indisë, të cilat janë të lidhura me vdekje përkatësisht në Gambi dhe Uzbekistan.
Ajo lëshoi gjithashtu një paralajmërim vitin e kaluar për shurupet e kollës të prodhuara nga katër prodhues indonezianë, PT Yarindo Farmatama, PT Universal Pharmaceutical, PT Konimex dhe PT AFI Pharma, që shiteshin brenda vendit.
Kompanitë e përfshira ose kanë mohuar që produktet e tyre janë kontaminuar ose kanë refuzuar të komentojnë ndërkohë që hetimet janë në vazhdim.
Andaj OBSH përsëriti thirrjen e saj që produktet e përmendura më lart të hiqen nga qarkullimi dhe bëri thirrje më gjerësisht që vendet të sigurojnë që çdo ilaç për shitje të miratohet nga autoritetet kompetente.