Kremlini ka hedhur poshtë zërat se Rusia ka marrë një ofertë nga Presidenti Biden për t’i dhënë fund luftës. Dmitri Peskov, zëdhënësi i liderit rus, Putin i quan lajmet që qarkullojnë të gënjeshtërta.
“Oferta e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të na dhënë 20% të Ukrainës në mënyrë që t’i japim fund luftës është një mashtrim”, Peskov.
Ish-presidenti rus, Dmitri Medvedev, është edhe më i ashpër në lidhje me Kievin. Në një postim në rrjetin e tij social, “Telegram”, zëvendëskryetari i Këshillit të Sigurimit të Rusisë shkruan se fundi i Ukrainës është i pashmangshëm.
Më herët, gazeta zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” pretendoi se kreu i CIA-s kishte udhëtuar për në Moskë me një propozim sekret për të vendosur paqe, përmes dhënies së 20% të territorit ukrainas.
Lajmin e hodhi poshtë edhe Shtëpia e Bardhë. Paraditen e së premtes, Dmitri Peskov, tha se ushtria ruse vijonte të mbante nën kontroll rajonin e Donbasit në lindje të vendit. Forcat ukrainase dhe ato ruse janë duke luftuar në afërsi të Bakhmutit, ku ushtria e Kievit po përpiqet që të parandalojë marrjen e tyre nga Moska.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky u zotua të premten se ushtria e tij nuk do ta linte qytetin e Bakmutit të binte në dorën e rusëve, por për këtë i duhen armë të sofistikuara nga perëndimi.