Të martën, kryeministri kinez Li Keqiang i nxiti qarqet britanike të biznesit të japin më shumë kontribut për miqësinë ndërmjet Kinës e Britanisë dhe për bashkëpunimin me përfitime të ndërsjella.
Li Keqiang-u e bëri këtë thirrje në një mesazh urimi për veprimtarinë e kremtimit të Vitit të Ri Kinez 2023 “Akullthyesit”, të organizuar nga Klubi “48 Grup”, një organizatë tregtare me seli në Londër e emërtuar sipas delegacionit tregtar britanik prej 48 anëtarësh që shkoi në Kinë në fillim të viteve ’50 të shekullit të kaluar për vendosjen e marrëdhënieve tregtare mes dy vendeve.
Në mesazhin e tij, Li u shpreh që 70 vjet më parë, njerëz largpamës nga qarqet e biznesit të Britanisë thyen akullin me guxim të madh dhe hapën dyert e tregtisë mes Kinës dhe Britanisë.
Li tha gjithashtu që tani situata ndërkombëtare dhe rajonale po ndryshon në mënyrë të ndërlikuar dhe gjeopolitika, ekonomia botërore, ndryshimet klimatike, siguria ushqimore e energjetike dhe fusha të tjera po përballojnë rreziqe dhe sfida të mëdha.
Ai shtoi që, në kohën kur po rriten vështirësitë, më e rëndësishmja është që të vazhdojë fryma e “akullthyerjes”, të shtohen shkëmbimet e bashkëpunimi me frymë pionere, të trajtohen në mënyrë të përshtatshme kontradiktat e dallimet, të përmirësohet jetesa e popullit dhe të arrihen përfitime të ndërsjella.
Sipas Li Keqiang-ut, Kina ngul këmbë në mënyrë të vendosur në zhvillimin paqësor, zbaton politikën bazë shtetërore të Reformës e Hapjes dhe është e gatshme të punojë bashkë me të gjitha palët për të mbrojtur paqen botërore dhe për të promovuar zhvillimin dhe lulëzimin.
Ai theksoi që Kina dhe Britania janë vende anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe ekonomi kryesore të botës dhe marrëdhëniet e qëndrueshme dypalëshe janë në të mirë të të dy vendeve e të botës.