Një gafë në transmetim direkt. Gjatë ndeshjes ndërmjet Olympique Marseille dhe Clermont, komentatorët amerikanë e quajtën Ruslan Malinovskyi një “rus”. I kuptueshëm zemërimi i ukrainasit dhe gruas së tij.
Ruslan Malinovskyi iu bashkua Olympique Marseille në janar pas përvojës së tij te Atalanta. Ukrainasi ka luajtur 6 ndeshje duke shënuar 1 gol (përcaktues për fitoren ndaj PSG). Por gjatë ndeshjes së fundit, të luajtur në Clermont ukrainasi ishte në qendër të një gabimi të rëndë nga komentatorët amerikanë. Në goditjen e dënimit të ekzekutuar nga ukrainasi, komentatorët e kanalit Bein Sports USA e quajtën atë “rus”. Më pas ata e rritën dozën, duke vazhduar të thonë: “Topi pothuajse ka mbërritur në Moskë, dukej si një Sputnik”.
MALINOVSKYI E GRUAJA E TIJ TËRBOHEN
Të nesërmen në mëngjes erdhi përgjigja e acaruar nga futbollisti ukrainas. Malinovskyi shkroi në Twitter: “Si është puna Phil Schoen dhe Bein Sports USA?”
Bashkëshortja e tij Roksana nuk ngurroi të sulmonte, duke shkruar në Instagram: “WTF?? Rus?? Këta njerëz të paaftë nuk duhet të komentojnë ndeshje të tilla… Sa keq”. Ngatërrimi i ukrainasve me rusë në këtë moment historik është një gabim i rëndë dhe zemërimi në shtëpinë e futbollistit është më se i kuptueshëm.