Mbretëria e Bashkuar regjistroi numrin më të madh të ditëve të punës të humbura për shkak të grevave në vitin 2022 në më shumë se 30 vjet, sipas të dhënave zyrtare, pasi kriza e kostos së jetesës bëri që punonjësit të kërkojnë me këmbëngulje rritje të pagave.
Zyra për Statistikat Kombëtare – ONS – në Britani, pohoi se rreth 2.5 milionë ditë pune u humbën për shkak të grevave dhe protestave vitin e kaluar, shifra më e lartë që nga viti 1989 kur u humbën 4.1 milionë ditë pune.
Me inflacionin në nivelin më të lartë në katër dekada, punëtorët në një sërë sektorësh nga shoferët e trenave deri tek mësuesit dhe punonjësit e kujdesit shëndetësor, janë bërë pjesë e grevës gjatë muajve të fundit.
Të dhënat e ONS treguan se 843 mijë ditë humbën për shkak të grevës vetëm në dhjetor, me stafin e forcave kufitare, rreth 100 mijë infermierë dhe mijëra punonjës të ambulancës që u larguan nga vendet e punës, në prag ose gjatë periudhës së Krishtlindjes.
Ndërsa disa mosmarrëveshje më të vogla janë zgjidhur, ato më të profilit të lartë tregojnë pak shenja përmirësimi. Deri në gjysmë milioni mësues, nëpunës civilë dhe shoferë treni braktisën vendet e punës në fillim të këtij muaji në aksionin më të madh të grevës së koordinuar për një dekadë; dhe shumë sindikata kanë planifikuar ditë të tjera greve.
Qeveria britanike deri më tani ka refuzuar të ndryshojë pagat e sektorit publik dhe në vend të kësaj është në proces për ashpërsimin e ligjeve për ta bërë më të vështirë për ata që janë në sektorët kyç të bëhen pjesë e grevës. Sipas saj rritjet e pagave që kërkohen janë të papërballueshme dhe rritja e pagave për të përballuar inflacionin vetëm sa do ta përkeqësonte problemin aktual ekonomik në vend.