Kur dy vajzat e mia adoleshente thonë se janë nga Shqipëria, ndonjëherë i pyesin: A është babai juaj trafikant droge?
Kur më thanë për herë të parë këtë, ishte e tmerrshme sepse askush nuk duhet të përballet me diskriminim ose racizëm.
Si azilkërkues shqiptar që jetojmë në Britani, kjo është shumë e trishtueshme për ne. Gjithçka që duam është të ndihemi të sigurt, pasi kjo është e pamundur në vendin tonë.
Unë vij nga një vend i bukur, por ka shumë probleme, kryesisht si rezultat i korrupsionit qeveritar.
Faturat janë jashtëzakonisht të larta në Shqipëri dhe njerëzit janë të dëshpëruar. Ka krim të organizuar kudo dhe disa janë nën kërcënim për shkak të kësaj. Bandat mund t’i vrasin për para.
Ndërsa gratë, ndonjëherë burrat e tyre i trajtojnë keq, i detyrojnë të punojnë në skllavëri moderne. Disa detyrohen të punojnë edhe si prostituta për para.
Sa për mua, ish-burri im ishte abuziv dhe alkoolist, por policia nuk më mbrojti. Problemi është se unë nuk mund të shkoja në komisariat për të bërë kallëzim sepse kishte korrupsion. Burri im kishte shumë miq që punonin atje, kështu që unë nuk mund t’u besoja atyre.
Kështu që zgjidhja e vetme ishte të merrja dy vajzat e mia dhe të ikja në Britani.
Miqtë e mi më ndihmuan të hipja në kamion dhe ne e bëmë udhëtimin me faza, kishte edhe disa burra me ne.
Gjëja më e vështirë ishte se si do dilnim nga kamioni sepse shoferi nuk e dinte që ishim brenda. Na u desh të hidheshim nga kamioni kur shoferi ndaloi për ushqim dhe kisha frikë se do të lëndoheshim.
Për fat, një nga burrat u hodh i pari dhe më pas ndihmoi vajzat e mia të zbrisnin të sigurta.
Kur mbërritëm në Britani, unë thashë me vete: OK, tani mund të marr frymë lirisht”.
Pas kësaj, kërkova në telefon për një komisariat pranë meje dhe shkova atje me vajzat e mia. Isha e shqetësuar, por policia ishte shumë e sjellshme dhe në këtë moment kërkova azil
Qëndruam në komisariat deri në orët e vona të natës dhe më pas Home Office na futi në një bujtinë.
Fatkeqësisht, unë ende nuk e kam statusin tim të azilit.
Kur erdha këtu, u ndjeva e sigurt. Për vajzat e mia ishte e vështirë sepse nuk njihnim askënd dhe duhej të shkonim në një bujtinë. Aty qëndronin edhe disa të rinj dhe ishte e vështirë të jetoje në atë mjedis, me të huaj.
Si azilkërkuese, nuk më lejohet të punoj dhe nuk kemi akses në një llogari bankare, kështu që nuk mund të paguajmë lehtë për gjërat si internet apo fatura.
Kur të më jepet leja e qëndrimit, dua të studioj sepse synimi im është të jem asistente mësuese. Mund të jetë e vështirë, por shpresoj ta arrij.
Disa muaj pasi mbërrita, u regjistrova në një klasë angleze. Një ditë, mësuesi tha se dikush nga Këshilli i Refugjatëve po vinte për të folur për punën e tyre duke ndihmuar refugjatët dhe njerëzit në sistemin e azilit.
Kur mbërritën, thashë se isha e interesuar të jem vullnetare për të ndihmuar. Nuk po bëja asgjë, kështu që isha e lumtur që përfshihesha.
Shkova për të bërë një kurs për përkthyese. Më pas, Këshilli i Refugjatëve mbajti një mbledhje për njerëzit që kishin nevojë për këshilla, kështu që unë i ndihmova njerëzit atje të vizitoheshin nga një mjek i përgjithshëm ose të gjenin strehim.
Unë isha e vetmja përkthyese shqiptare në vend, kështu që përfundova duke përkthyer për ta gjatë gjithë kohës. Në fakt, fitova një çmim nga Marsh Trust për vullnetaren më të mirë që punon me refugjatët dhe azilkërkuesit në zonën time.
Vullnetarizmi më ndihmoi të qetësoja zemrën time. Jam ndjerë shumë krenare sa herë më është dashur të bëj përkthyesen në dasma apo në gjykatë.
Jam shumë e lumtur gjithashtu që kam njohur edhe femra të tjera që kujdesen për fëmijët apo familjet dhe në të njëjtën kohë studiojnë dhe punojnë.
Por është gjithashtu e vështirë për disa shqiptarë. Ata nuk mund të marrin një vizë, kështu që duhet të punojnë me vite për të paguar udhëtimin për të arritur këtu, dhe mund të detyrohen në veprimtari të paligjshme, ku shfrytëzohen dhe abuzohen.
Prandaj qeveria duhet të ndryshojë ligjin dhe ta bëjë më të lehtë punën legale derisa ne presim vendimet për rastet tona.
Disa muaj më parë, Suella Braverman tha se viti 2022 pa një ‘rritje të numrit të të ardhurve shqiptarë’, më pas pretendoi se njerëzit nga vendi im po abuzojnë me ‘ligjet moderne të skllavërisë’.
Ajo tha edhe se po punojnë për të siguruar që rastet shqiptare të përpunohen sa më shpejt dhe individët të largohen sa më parë që të jetë e mundur, ndonjëherë brenda ditëve.
Dhe kjo është e padrejtë pasi kam parë se shumë shqiptarë kanë nevojë për mbrojtje për të shpëtuar nga trafikantët apo abuzimet, dhe ne duam mundësinë për të rindërtuar jetën tonë dhe për të bërë diçka pozitive për komunitetet tona.
Si pasojë e këtyre komenteve, disa shqiptarë protestuan në Londër, por tashmë po përjetojmë një ‘rritje alarmante’ të armiqësisë dhe dyshimit. Kjo është arsyeja pse fëmijët e mi marrin komente të pahijshme në shkollë.
Home Office nuk e sheh atë që po ndodh realisht, ajo vetëm dëgjon atë që thotë qeveria shqiptare, që Shqipëria është një vend i sigurt por ata nuk dëgjojnë se çfarë thonë njerëz si unë.
Gjatë një interviste të mëvonshme, një oficer më tha ‘nëse fillon të qash, do ta ndaloj këtë intervistë’. Më bënë të ndihem shumë keq.
*Artikulli është shkruar nga F. Imeri, botuar në Metro.