Gjatë fjalimit në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për nder të 15 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, kryetar i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka kujtuar dhe nderuar, dëshmorët, të pagjeturit, të dhunuarit e të torturuarit, të burgosurit, dhe luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pavarësia e Kosovës, sipas kryekuvendarit, na bashkon të gjithëve “sepse është pika më e lartë e deritanishme e përpjekjes sonë për shtetësi”.
“Prandaj fillimisht ju përkulemi atyre që dhënë më së shumti dëshmorëve tonë të pavdekshëm që nuk e kursyen as jetën e tyre për lirin e popullit tonë. I kujtojmë dhe i nderojmë në këtë ditë të rëndësishme martirët tanë të ndritur që u flijuan ashtu që ne të tjerët të jetojmë”.
Konjufca gjatë fjalimit të tij ka thënë se Kosova nuk i harron “të pagjeturit që na mungojnë, gratë e burrat që u dhunuan e u torturuan”.
“Nuk i harrojmë e i falënderojmë së bashku të gjithë ata që mbajtën për lirinë tonë mijëra vite burgje ashtu që fëmijët tanë të rritën të lirë në tokën e atdheut tonë të çmuar, por mbi të gjitha i përkulemi popullit tonë për qëndresën e tij shekullore e cila na frymëzon çdonjërin nga ne”.
Mbi të gjitha, Konjufca, tha se Kosova nuk do të harrojë gjenocidin të cilën e bëri “Serbia mbi qytetarët tanë mbi popullin tonë”.
“Ne e dimë si rrallë kush se çka është vuajtja, por edhe sakrifica, trungu jonë i lirisë u ujit me gjakun e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e cila zhvilloi luftë të drejtë dhe luftë mbrojtëse, kjo ishte lufta e domosdoshme e popullit tonë e cila u kurorëzua me pavarësinë e Republikës së Kosovës”.
Ai gjithashtu ka përshëndetur dhe është shprehur mirënjohës për të gjithë miqtë të cilët ndihmuan Kosovën për pavarësi dhe liri.
“Sepse gjithçka që arritëm nuk do të kishte qenë e mundshme pa ndihmën e tyre”.