Të bëheshe pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk duhej asgjë më shumë dhe asnjë test tjetër, pos atij kombëtar.
I pajisur me këtë vetëdije, UÇK-së iu bashkua edhe Kudusi Lame, një nga Gjeneralët e Ushtrisë së Shqipërisë, i cili shërbente si komandant i Divizionit të Dytë të Këmbësorisë në Kukës, ku fronti i divizionit shtrihej nga Korabi deri në Plavë e Guci.
Lame, aktualisht gjeneral në pension, në një intervistë për Albanian Post, tregoi se për t’u bërë pjesë e UÇK-së nuk priti që ta ftonte askush.
“Unë isha si ai portieri, që pa lejen e tij nuk mund të kalohet porta. Pra edhe unë isha ai që realisht pa pëlqimin tim nuk mund të veprohej në atë zonë. Prandaj unë ose duhet të isha pjesë e Luftës Çlirimtare të Kosovës dhe luftëtar i asaj ushtrie të lavdishme që e barti atë luftë ose duhet të isha kundërshtar i saj”, rrëfen Lame për Albanian Post.
“A-në” e luftës së UÇK-së që i solli lirinë vendit, siç shprehet Lama, e sheh tek ndryshimi dhe thyerja e barrierave të ngritura nga serbët për vetë ata, rreth fuqisë së tyre.
“Përjetimi im kryesor në atë periudhë lidhet me faktin, që erdhi një çast ku burrat dhe gratë e Kosovës mësuan të vrasin ushtarët e policët dhe kriminelët e paramilitarët serb. Kjo është a-ja e asaj periudhe, për faktin se ishte bërë një përpjekje e madhe që shqiptarët të mendonin se serbin nuk e vret plumbi”, kujton ai.
Të jesh ushtar, thotë Gjenerali Lame, është detyra më e vështirë që mund të bëjë një njeri.
“Luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë floriri më i shtrenjtë i kombit shqiptar. Kush nuk e di këtë bën mirë të kthjellohet para se të jetë vonë”.
Ndërsa çlirimin thotë se e ka përjetuar si “mrekulli”.
“Të jesh i lirë në tokën tënde që e ke fituar me shumë sakrifica është diell”.
Në ditëlindjen e 15-të, Lame e sheh Kosovën të arrirë, por me një mangësi të madhe.
“Sot ne po festojmë 15 vjetorin e pavarësisë, por ata që investuan më së shumti për këtë liri e pavarësi janë të marrë peng në Hagë. Dhe çka është më e keqja në Kosovë po tentohet nga shteti dhe politika në përgjithësi që ata të lihen sa të jetë e mundur në harresë. Por a mund të harrohet historia? Unë them jo. Prandaj do të apeloja gjithë strukturave shtetërore në agjendat e tyre për asnjë moment mos t’i lënë në harresë ata burra, sepse është në nderin e tyre” shprehet Gjenerali i Ushtrisë së Shqipërisë, tani në pension, Kudusi Lame, për Albanian Post.
Intervista e plotë me Gjeneralin Kudusi Lame
Albanian Post: Ju keni marrë pjesë në Luftën e Kosovës për çlirim nga okupatori serb, kush ju ftoi që t’i bashkoheni UÇK-së, apo si filloi kjo histori e juaja?
Kudusi Lame: Unë isha i informuar që në Kosovë po bëheshin përpjekje për të krijuar mundësinë e çlirimit. Por unë nuk isha i informuar se kush ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe çfarë kishte ajo në strukturë dhe në programin e saj politik e ushtarak.
Për herë të parë me një luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës jam takuar me datën 7 maj të vitit 1997.
Por nuk ka pasur nevojë të më ftojë dikush, pasi unë isha komandant i divizionit të Dytë të Këmbësorisë në Kukës dhe fronti i divizionit që unë komandoja shtrihej nga Korabi deri në Plavë e Guci. Kështu që unë isha si ai portieri, që pa lejen e tij nuk mund të kalohet porta. Pra edhe unë isha ai që realisht pa pëlqimin tim nuk mund të veprohej në atë zonë. Prandaj unë ose duhet të isha pjesë e Luftës Çlirimtare të Kosovës dhe luftëtar i asaj ushtrie të lavdishme që e barti atë luftë ose duhet të isha kundërshtar i saj. Po të isha kundër saj do të kisha bërë dëme të mëdha, por duhet t’i përkisja kombit serb. Kurse unë isha pasardhës i një familjeje që historikisht ka luftuar kundër Serbisë. Gjyshi im, xhaxhai im dhe dy kushërinj të parë të babës tim janë të vrarë në luftë me serbët. Kështu që edhe unë duhet të rreshtohesh andej ku rreshtoheshin ata burra e gra që luftonin kundër Serbisë e për ta shporrur përfundimisht pushtimin prej saj.
Prandaj unë pa hezitim që prej 7 majit të vitit 1997, kur jam njehur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës nëpërmjet Xhavit Halitit, kam qenë luftëtar i saj, duke qenë njëkohësisht edhe në detyrën time funksionale në ushtrinë e Republikës së Shqipërisë, duke komanduar divizionin e këmbësorisë në Kukës.
Albanian Post: Përveç jush kishte edhe shqiptarë të tjerë që erdhën bashkë me ju në luftën e UÇK-së?
Kudusi Lame: Po. Ka pasur të tjerë që kanë qenë të angazhuar edhe para meje e edhe pas meje. Ka pasur prej tyre që kanë ndihmuar e kontribuar duke qenë me detyra në Republikën e Shqipërisë, ashtu sikurse ka pasur edhe prej atyre që janë futur edhe në Kosovës e janë angazhuar drejtpërdrejtë nëpër vijat e fronteve, prej të cilëve mbi 40 sot janë dëshmorë të atdheut.
Po kështu mund të thuhet pa hezitim se i gjithë efektivi i divizionit të këmbësorisë në Kukës ka qenë pjesë e UÇK-së, pasi ai divizion realisht ka shërbyer si një skalion i dytë për formacionet e UÇK-së.
Albanian Post: Ju keni qenë Gjeneral në Divizionin e Kukësit, po në Kosovë ku keni shërbyer?
Kudusi Lama: Unë kam shkuar dhe kam inspektuar vijat e fronteve në disa raste, por unë kam qenë në detyrë dhe kam kryer detyrat duke qenë në funksionin e komandantit të divizionit në Kukës.
Të marrësh pjesë në luftë nuk është kusht që duhet të qëndrosh vetëm në vijën e frontit të luftimeve, sepse ka më shumë punë dhe veprime luftarake që bëhen edhe pak më larg se vijat e frontit.
Unë personalisht nuk kisha detyrë të isha thjeshtë një luftëtar, megjithëse edhe atë detyrë e kam kryer në mjaft raste, por detyrat e mia ishin më madhore, që kishin të bënin me planifikimin, planëzimin, organizimin, trajnimin, furnizimin dhe organizimin e realizimin e shërbimit shëndetësor për luftëtarët e sëmurë e të plagosur etj. Këto detyra unë jam i lumtur që me mundësitë e asaj kohe i kam kryer mjaft mirë.
Albanian Post: Nga eksperienca juaj, na përshkruani pak si e përjetuat luftën e Ç-së?
Kudusi Lame: Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte ajo që na solli lirinë. E për ta realizuar atë janë dashtë të bëhen shumë sakrifica. Por përjetimi im kryesor në atë periudhë lidhet me faktin, që erdhi një çast ku burrat dhe gratë e Kosovës mësuan të vrasin ushtarët e policët dhe kriminelët e paramilitarët serb. Kjo është a-ja e asaj periudhe, për faktin se ishte bërë një përpjekje e madhe që shqiptarët të mendonin se serbin nuk e vret plumbi. Ashtu sikurse në atë kohë kishte edhe shqiptarë që me politikën e tyre të mbrapshtë përpiqeshin të ngjallnin frikë te shqiptarët, duke propaganduar dhe kërkuar që të mos veprohet kundër Serbisë se na zhdukë të gjithëve. Kjo ka qenë poshtërsia më e madhe politike e asaj kohe ndër shqiptarët, që u vinte për shtat edhe serbëve e Serbisë.
Por burrat dhe gratë e Kosovës, djemtë dhe vajzat e Kosovës nuk ndenjën në pritje, ata morën armët me një betim, duke qenë të bindur se rruga e lirisë është vetëm nëpërmjet grykës së pushkës. Kjo vendosmëri e bindje bëri që të lindë Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila bëri një luftë titanike për të arritur lirinë. Krijoj figurën më simpatike për gjithë botën moderne, duke bërë që të gjithë të bëhen partnerë dhe bashkëluftëtarë të saj për ta mundur Serbinë e për ta çliruar Kosovën prej pushtimit të saj.
Kështu që Lufta Çlirimtare e Kosovës është një veprimtari për të cilën të gjithë shqiptarët duhet të jenë krenarë. Ndërsa ne që ishim pjesë e saj kemi qenë njerëzit më me fat të këtij kombi që u bëmë pjesë e kësaj lavdie.
Albanian Post: Çka do të thotë për ju sot, të ishe pjesë e UÇK-së?
Kudusi Lame: Të jesh pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të thotë të jesh me fat. Do të thotë të marrësh përgjegjësi. Do të thotë të kesh vendosmëri. Do të thotë të kesh guxim dhe do të thotë të kesh vizion.
Sot shumëkush mund të mendojë se ka qenë e lehtë. Por unë që e kam provuar, them se të jesh luftëtar është detyra më e vështirë. Ndërsa të marrësh përgjegjësi për të dërguar e udhëhequr burra e gra, në frontet e luftës, do të thotë të jesh i kthjelltë për atë që kërkon të arrihet dhe të jesh i vendosur për të mos ia kthyer shpinën frontit të luftës deri në pikën e fundit të gjakut.
Luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë floriri më i shtrenjtë i kombit shqiptar. Kush nuk e di këtë bën mirë të kthjellohet para se të jetë vonë. Sepse kush nuk vlerëson sakrificat në luftë dhe gjakun e derdhur për liri, një ditë vihet në provë e pendohet, por është vonë. E unë dua që shqiptarët të mos bien në gabim. Dua që shqiptarët ta vlerësojnë, respektojnë e nderojnë historinë e tyre.
Albanian Post: Cili ishte momenti më i vështirë që mbanë mend nga ajo luftë?
Kudusi Lame: Momente të vështira ka shumë. Kur ka qenë furtunë e nuk kemi pasur një batanije për të ia dhënë luftëtarit që po përcillej në vijën e frontit. Nuk ka më rëndë se një situatë e tillë.
Ashtu sikurse kur nuk ke kuadro të stërvitësh luftëtarët për t’i bërë gati të shkojnë në vijat e fronteve, e trupa e oficerëve të organizuar gjoja për luftë rrinin gjithë ditën në kazermë duke ngrënë e duke pirë e nuk pranonin të shkonin të stërvitnin luftëtarët, megjithëse kishin veshur uniforma të UÇK-së dhe hanin me paratë e popullit të Kosovës, si dhe deklaroheshin se po luftonin për çlirimin e Kosovës. Nuk besoj se ka më e rëndë se kjo, por është e vërtetë dhe sot në Kosovë shumë prej tyre sillen si heronj. Turp për ta.
Moment i vështirë ka qenë edhe kur është kërkuar të goditet armiku superior përballë trupave të frontit të luftës së UÇK-së e nuk kemi pasur mundësi ta bëjmë. Nuk ka më zor se sa kur fronti të kërkon ndihmë e nuk ke asnjë mundësi të ia japësh.
Moment i vështirë shumë është kur askush nuk të ndihmon që të të japë helikopterë për të dërguar sa më parë të plagosurit rëndë në frontin e luftës, të cilët janë transportuar me barela nëpër male me botë e nëpër furtunë për katër ditë me radhë e në përfundim nuk ke mundësi t’i ndihmosh.
Ka pa fund momente të vështira. Edhe më të vështira se këto që përmenda, por duhet kohë për t’i evidencuar të gjitha. Çdo luftëtarë ka shumë momente të vështira, për të cilat mund të deklarohet.
Lufta është gjëja më e keqe që mund t’i ndodhë një shoqëria a një populli. E ne bëmë një luftë edhe më të vështirë, se u dashtë të organizohemi, te trajnohemi, të furnizohemi, të ushqehemi dhe të luftojmë në një terren të pushtuar prej armikut.
Albanian Post: Po çlirimin, si e përjetuat?
Kudusi Lame: Çlirimin si një mrekulli. Të jesh i lirë në tokën tënde që e ke fituar me shumë sakrifica është diell. Unë që për 30 vjet e kisha shikuar Kosovën nga vija e kufirit, tashmë mund të shkoja në gjithë hapësirat e Kosovës dhe të shikoja se si luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishin zbritur nga malet për të qenë pranë qytetarëve të cilët po ktheheshin me intensitet në shtëpitë e tyre, të cilat i kishin braktisur të përzënë nga pushtuesi dhe një pjesë për t’u shpëtuar masakrave.
Në kushtet e mia, çlirimi ishte edhe një tregues, për të parë se sa shumë e donte populli i Kosovës tokën e vet, shtëpinë e vet. Kjo sepse menjëherë sapo në Kosovës u vendos qetësia e pasluftës, qytetarët e Kosovës të shpërngulur, që rreth 700 mijë prej të cilëve ishin në Republikën e Shqipërisë, u dyndën në rrugë për të shkuar në shtëpi. Kjo për mua që isha aty në portë ishte një mrekulli, të cilën edhe bëra të gjitha përpjekjet ta nxisë që të ishte sa më intensive.
Albanian Post: Pas luftës keni qenë në Kosovë? Si e shihni zhvillimin e Kosovës nga paslufta e deri tani?
Kudusi Lame: Nuk mund të pretendoj se në Kosovë është parajsa. Por duke marrë në konsideratë gjendjen që unë kam gjetur në Kosovë në qershor të vitit 1999, kur kaloja nëpër Gjakove e Pejë, qytete të cilat akoma vazhdonin të digjeshin, si dhe të kaloj nëpër krahina të ndryshme të Kosovës e të ballafaqohem me një gjendje shkatërrimi total të gjithçkaje, sot jam shumë i lumtur kur shoh se sa ka ndryshuar Kosova për 20 vjet. Kjo është një mrekulli.
Nëse do të merrnim një grup profesorësh nga Amerika dhe t’u jepnim një hartë ku të ishte e shtrirë Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës dhe t’u vinim detyrë, që të shkonin në të gjitha këto hapësira dhe në çdo vend ku të verifikonin se është bërë luftë të vinin nga një rreth me laps të kuq. Ju siguroj se të gjithë rrathët do të kishin rënë në Republikën e Shqipërisë dhe asnjë rreth në Republikën e Kosovës. Sepse në Shqipëri akoma janë gjendje vatrat e shkatërrimeve të viteve 1991 dhe 1997. Kurse në Kosovë jo që nuk ka asnjë vatër të mbetur si në atë kohë, përveç objekteve muzeale, por është bërë një hop i madh zhvillimor për ta bërë bashkëkohore gjithë infrastrukturën e vendit.
Në Kosovë Kam pretendime vetëm për modernizimin e sistemit shëndetësor, pasi mendoj se për këtë nuk është punuar me një strategji zhvillimi. Ndoshta kjo është e qëllimtë, për t’i lënë hapësirë zhvillimit të mjekësisë private. Por cilado qoftë arsyeja, e konsideroj gabim të rëndë. Kosova akoma nuk ka arritur që ta ngrejë sistemin shëndetësor të Prishtinës në nivelin e sistemit shëndetësor të Beogradit. Kështu që vërej se akoma qytetarët i mbajnë sytë nga Beogradi. Këtë gabim unë po të kem fuqi nuk ia fali askujt.
Albanian Post: Si e shihni tani Kosovën në 15 vjetorin e pavarësisë së saj?
Kudusi Lame: E shoh si të arrirë, por me një mangësi të madhe. Sot ne kemi një grup burrash luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që janë mbyllur në paraburgim në gjykatën speciale në Hagë. Janë ata burra që nuk i kanë borxh askujt asgjë.
Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, janë marrë peng për interesat e Serbisë dhe mbahen atje të kindapuar, duke kërkuar nëse mund të gjendet diçka për t’i akuzuar, sepse të gjitha pretendimet dhe akuzat e mëdha që u deklaruan me zhurmë të madhe kanë rënë.
Kjo beri që edhe kryeprokurori i asaj prokurorie, prokurori Smith, të marrë arratinë. Të jeni të sigurt, se ofrimi i një detyre në SHBA, si një këshilltar gjoja për trupën që akuzon presidentin Tramp, është thjeshtë një lëvizje për të mos lejuar që të dalin probleme të mëtejshme. Por ai realisht u arratis se doli se ishte në lidhje dhe në shërbim të Serbisë, duke përpunuar akuza dhe dëshmitarë të rremë.
Sot ne do të festojmë 15 vjetorin e pavarësisë, por ata që investuan më së shumti për këtë liri e pavarësi janë të marrë peng në Hagë. Dhe çka është më e keqja në Kosovë po tentohet nga shteti dhe politika në përgjithësi që ata të lihen sa të jetë e mundur në harresë. Por a mund të harrohet historia? Unë them jo. Prandaj do të apeloja gjithë strukturave shtetërore në agjendat e tyre për asnjë moment mos t’i lënë në harresë ata burra, sepse është në nderin e tyre.
Do të apeloja, që në këtë 15 vjetor të pavarësisë së Kosovës të bëhemi të mençur. Të mos mendojmë se duke luftuar të tjerët, duke akuzuar të tjerët e duke përbuzur të tjerët fitojmë vlera për vete. Jo. Përbuzja sjellë vetëm përbuzje për këta. Harresa sjellë vetëm harresën.
Apeloj që t’u japim edhe atyre burrave hapësirën e tyre në sofrën e 15 vjetorit të pavarësisë së Kosovës.
Lavdi Luftës Çlirimtare të Kosovës!
Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!
Lavdi Dëshmorëve të atdheut!
Nderim Luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!
Rroftë Kosova dhe mbarësia e kombit shqiptar!