Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, fjalimin e tij në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për nder të 15 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës ka nisur duke lexuar Deklaratën e shpalljes së Pavarësisë që ish-kryeministri Hashim Thaçi e lexoi më 17 shkurt 2008.
Për kreun e PDK-së, historia e Kosovës moderne është e lidhur me emrat e çlirimtarëve që gjenden në Hagë për të mbrojtur të vërtetën e luftës së UÇK-së, e veçmas me ish-Kryeministrin dhe ish-Presidentin Hashim Thaçi.
“Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi e bashkëluftëtarë të tjerë, sot janë larg nesh, duke e zhvilluar betejën e fundit, për të vërtetën e luftës sonë për liri. Do të duhej të ishin në këtë sallë bashkë me ne, në një rast solemn si ky që përkujton një ngjarje kaq madhore, protagonistë të së cilës ishin pikërisht ata vetë”.
Gjatë fjalimit të tij ai ka kujtuar me mirënjohjet të gjithë brezat e atdhetarëve që nuk u dorëzua as përballë Jugosllavisë e as përballë regjimit të Millosheviç’it.
“Shaban Polluzha, Adem Demaçi e Ibrahim Rugova, janë shenja të spikatura të kësaj rruge të qartë liridashëse, demokratike e perëndimore, ndaj kontributit të të cilëve, do të jemi përgjithmonë mirënjohës. Të paharruar janë e do të mbesin përgjithmonë dëshmorët e UÇK-së, me heronjtë që i prinë kësaj epoke, në krye me Komandantin Legjendar Adem Jashari”, tha lideri i PDK-së.
15 vjetori i Pavarësisë së Kosovës, sipas Krasniqit, duhet të shërbejë si moment reflektimi për t’u përkushtuar në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës.
“Kosova të mos ndalet, as nga rruga, as nga qëllimi, e as nga përpjekja. Ndërsa festojmë këtë ditë të shënuar, le ta ripërtërijmë përkushtimin tonë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe për të punuar së bashku për vendin tonë”, ka shtuar ai.
Në anën tjetër kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku në fjalimin e tij në Kuvendin e Kosovës, ka kujtuar rrugëtimin e Kosovës për të ardhur deri tek shpallja e Pavarësisë së Kosovës.
“Po e shënojmë sot datën më të rëndësishme të popullit të Kosovës, ditën e shpalljes së Pavarësisë. Këtë rrugëtim të gjatë e të lavdishëm, do të marrë guximin ta përkujtojë përmjet një udhëkryqi të vetëm ndoshta më të njohurin në Prishtinë, atë që në anën e majtë kishte kodrën e lagjes Taslixhe e në të djathtën atë të Velanisë për të marrë përfundimisht emrin si udhëkryqin e Velanisë”.
Abdixhiku, ka kujtuar momentet e dhimbshme në atë udhëkryq e deri tek shpallja e Pavarësisë.
“Kam parë dhe kujtuar kujtime të mëdha në atë udhëkryq, udhëkryqi i Velanisë nuk ishte dukur asnjëherë më i bukur sesa ditën e 17 shkurtit të 2008. Ky udhëkryq zgjon të gjitha kujtimet e lavdisë, dhimbjes, dëshpërimit e triumfit”.
Ai ka thënë se e ardhmja e Kosovës duhet të jetë vetëm në Bashkimin Evropian.
“Në të ardhmen ne përcaktojmë dhe kujtimet tona si shoqëri në rrugëtimin origjinal për në NATO e në Bashkim Evropian, këtë rrugë duhet ta bëjmë ne si testament për gjenerata që vijnë si mirënjohje për ato që nuk janë më. Prandaj, le të nderojmë të shkuarën e le të ndërtojmë të ardhmen”.
Ndër të tjera Abdixhiku kërkoi që t’i kujtojnë të gjitha gjeneratat e kaluara që luftuan për këtë ditë.
“Le ti kujtojmë të gjitha sakrificat e gjenerative të tëra, të kujtojmë e të nderojmë atin themeltar të Republikës së Kosovës, presidentin Ibrahim Rugova prirja e të cilit ishte udhë rrëfim drejt vetështetësisë. Kosova shtet i pavarur e Sovran, i anëtarësuar në NATO e në BE e miqësi të përhershëm me SHBA është rruga jonë sot”.
Ndërsagjatë fjalimit të tij në këtë seancë solemne, kryetari i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se nuk do të harrohen kurrë emrat që sakrifikuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“Nuk mundemi pa e kujtuar Prekazin, Gllogjanin, Llaushën, Llapashticën, Dushkajën, Kosharen e shumë beteja të tjera. Mijëra djem e vajza që u bënë arterie për furnizimin për luftën dhe mbrojtjen e lirisë”.
“Legjendarët tanë, Adem Jasharin, Zahir Pajazitin, Luan e Shkëlzen Haradinaj, Fehmi Lladrovcin, Agim Ramadanin, Ilir Konushevcin e shumë e shumë të tjerë që sot na bëjnë krenarë. Kujtojmë lëvizjet popullore, studentore, partiake, civile, qytetare. Kujtojmë me respekt presidentin Ibrahim Rugova”.
Më tej ai ka kërkuar që të punohet shumë deri te integrimi i Kosovës në strukturat evropiane.
“E dinë të gjithë që Republika e Kosovës , pavarësia, është e pakthyeshme dhe është detyrë e jonë që Kosovën ta bëjmë të përfunduar, ta bëjmë pjesë të familjes evropiane, NATO-s, BE-së dhe OKB-së”.