Shefi i La Ligas, Javier Tebas, ka insistuar që presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, duhet të japë dorëheqje nëse nuk mund ta shpjegojë skandalin financiar të klubit.
Barcelona është akuzuar se i ka paguar më shumë se 1.5 milion euro një kompanie në pronësi të ish-zëvendëspresidentit të arbitrave në Spanjë në periudhën 2016-2018.
Kreu i ligës spanjolle e ka kritikuar sjelljen e krerëve të Blaugranëve, megjithëse La Liga nuk mund ta hetojë ligjërisht klubin për shkak të rregullave të futbollit spanjoll.
Megjithatë, gjatë një evenimentit të hënën, Tebas – i njohur si një kritik i zëshëm i Barcelonës – ka thënë se Laporta duhet të japë dorëheqje nëse nuk është në gjendje t’i shpjegojë 33 pagesat e klubit të bëra për Jose Maria Enriquez Negreira.
“Nëse (Laporta) nuk shpjegon pse është paguar, unë mendoj se ai do të duhet të japë dorëheqjen”, citon Sport fjalët e shefit të La Ligas.
Ai ka thënë gjithashtu se skandali i Barcelonës është më i rëndë se keqbërjet financiare të Juventusit.