Kandidatja e LDK-së për kryeministre në zgjedhjet e fundit të Kosovës, Vjosa Osmani po qëndron për një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ajo gjatë ditës është takuar me zëvendës ndihmës sekretarin e Shtetit, Matthew Palmer, i cili është po ashtu Përfaqësues Special për Ballkanin Perëndimor.
Osmani ka bërë të ditur se në këtë takim me zyrtarin amerikan kanë diskutuar për raportet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara dhe punët e rëndësishme që na presin përpara.
“Sot në Departamentin e Shtetit u prita nga Zv.Ndihmës Sekretari i Shtetit, Matthew Palmer, i cili është po ashtu Përfaqësues Special për Ballkanin Perëndimor. Diskutuam për raportet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara dhe punët e rëndësishme që na presin përpara”, shkruan Osmani në llogarinë e saj personale në Facebook.
Ndryshe, Matthew Palmer ka treguar kohë më parë se në agjendën e tij si pikë kryesore do të jetë dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, ndërkohë kërkesë e tij është që Kosova të heqë vendimin për taksë ndaj produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
“Një prej qëllimeve tona kryesore është që t’i japim përkrahje një qeverie në Kosovë e cila është e përkushtuar në dialog, gjë që nënkupton suspendimin e taksës dhe rikthimin në tavolinën e bisedimeve”, kishte thënë Palmer për RTCG.
Sipas tij, zgjidhja ideale për dy palët do të jetë njohja reciproke, dhe se SHBA-ja do të luajë rolin e vet prej partneri sapo dy palët t’i kthehen tryezës së bisedimeve.