Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, priti deputetët e Dhomës së Komuneve të Mbretërisë së Bashkuar, z. David Jones dhe z. Bob Blackman
Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, zhvilloi sot një takim pune me anëtarët e Dhomës së Komuneve të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe, z. David Jones dhe z. Bob Blackman.
Gjatë takimit u diskutua mbi intensifikimin dhe avancimin e bashkëpunimit mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Dhomës së Komuneve të Mbretërisë së Bashkuar si edhe mbi çështje të tjera të bashkëpunimit mes dy vendeve.
Kryetarja Nikolla vlerësoi “Mbështetjen e Qeverisë dhe Dhomës së Komuneve të Mbretërisë së Bashkuar për zhvillimin dhe demokratizimin e Shqipërisë, të Ballkanit Perëndimor dhe mbështetjen e Procesit të Berlinit, bashkëpunimin e qeverive për mbështetjen e emigrimit legal të qytetarëve shqiptarë në Britaninë e Madhe për studime, punë e biznes, dekurajimin e flukseve të parregullta dhe shmangien e rënies së qytetarëve shqiptarë në rrjetet e trafikantëve dhe krimit të organizuar si edhe qëndrimet e vendosura të Mbretërisë së Bashkuar për integritetin e politikanëve, funksionarëve publikë dhe biznesmenëve.”
Deputetët, z. David Jones dhe z. Bob Blackman, shprehën vlerësimet e Dhomës së Komuneve për vijimin e bashkëpunimit me Kuvendin, progresin e gjithanshëm të Shqipërisë, avancimin e reformave, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, përballimin e sulmeve të terrorizmit kibernetik, mbrojtjen e paqes e të sigurisë, mbështetjen e refugjatëve iranianë e ukrainas si edhe mbështetjen e luftës së drejtë të Ukrainës kundër agresionit të Rusisë. Ata nënvizuan se lufta kundër trafikimit të emigrantëve është rruga për të mbështetur emigrimin e ligjshëm të qytetarëve shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar.