Udhëheqësi i reformës ‘Brexit’ në Mbretërinë e Bashkuar, Richard Tice, ka kritikuar ministren e brendshme, Suella Braverman duke e cilësuar si të paaftë.
Ai bëri thirrje që kriza e emigrantëve të hiqet nga duart e Ministrisë së Brendshme dhe të vendoset nën kontrollin e një ‘Departamenti të ri të Emigracionit’ pasi u zbulua se Mbretëria e Bashkuar ka një numër rekord të azilkërkuesve.
Përveç kritikës, udhëheqësi i Reformës në Mbretërinë e Bashkuar ka ripërsëritur thirrjen e tij për ngritjen e një departamenti të ri për t’u marrë me krizën e emigrantëve që aktualisht po përballet Britania e Madhe.
Duke folur për britaniken Express.co.uk, Tice theksoi se paaftësia ka bërë që Britania e Madhe të përballet me një dyndje të komuniteteve dhe po vijon të përkthehet në formë proteste.
“Paaftësia e plotë në Ministrinë e Brendshme ka çuar në këtë situatë të tmerrshme, ku furia e komuniteteve të shqetësuara po përkthehet në protesta në rrugët tona.”- thotë ai.
Kjo vjen pasi doli se kombësia më e zakonshme e azilkërkuesve në numrin e mbetur është shqiptare. Në vitin 2022, ishin 14.223 aplikime të bëra nga shtetas shqiptarë, afro 10.000 prej të cilave ishin bërë nga persona që kishin kaluar kanalin anglez me anije. Nga ata 14,000 azilkërkues shqiptarë, gati 12,000 ishin meshkuj të rritur, kjo referuar shifrave të Home Office.
Pas shqiptarëve, afganët ishin kombësia e dytë që kishte kërkuar më shumë azil. Në vitin 2022, pak më shumë se 10,000 afganë aplikuan për azil në Mbretërinë e Bashkuar, gjashtë herë më i lartë se niveli i vitit 2019 prej 1,573.
Më herët, në fillim të vitit kryeministri në detyrë, Rishi Sunak u zotua se do të marrë një politikë më konkrete për shmangien e dyndjeve të emigrantëve në Mbretërinë e Bashkuar. Emri i Suella Braverman u bë kryefjalë e mediave në vend për shkak të retorikës së saj të ashpër ndaj shqiptarëve që kalonin kufirin në mënyrë të jashtëligjshme. Të tilla raste ka pasur edhe nga vende të tjera të botës.