Arrestohet shtetasi rus Alexey Smaznov, kapiteni i cisternës së naftës Grace Felix dhe vendoset nën sekuestro cisterna me flamur liberian me një sasi prej 22500 tonë naftë në bord. Ekzekutimi i Urdhrit të Prokurorit u bë sot.
Arrestimi u finalizua pasi një javë më parë, gjatë operacionit policor i koduar si “Embargo”, në kuadër të të cilit u bllokua anija me flamur liberian, e cila transportonte 22 500 tonë naftë, me dokumentacion të falsifikuar, që do të kontrabandohej në Shqipëri. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se kjo ngarkesë nafte është marrë nga vendet me embargo për naftën, konkretisht nga Rusia.
Anija ishte nisur nga Azerbajxhani dhe pretendohet se më pas është ngarkuar me naftë në portin Kallamata, Greqi, nga një anije tjetër, në një sasi prej 22 500 tonë lëndë djegëse naftë.
Në vijim të veprimeve, bazuar në dyshime të arsyeshme se kjo sasi nafte e kishte origjinën nga vendet me embargo dhe ishte e kontrabanduar, pasi nuk disponohej dokumentacion i rregullt, u bë sekuestrimi i saj dhe i dokumentacionit të lundrimit të kapitenit, si dhe bllokimi i ekuipazhit që përbëhej nga 22 shtetas, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.
Prokuroria po vijon hetimet, me qëllim dokumentimin sa më të plotë të kësaj veprimtarie të kundërligjshme dhe për identifikimin e shtetasve të përfshirë në këtë veprimtari, si persona fizikë apo juridikë.