Komisioni Evropian ka propozuar rregulla të reja të BE-së për të rritur sigurinë rrugore. BE ka vendosur që patenta të jetë dixhitale dhe jo më plastike dhe të jetë e vlefshme në të gjithë Unionin. Mosha minimale pritet të ulet në 17 vjeç kur mund të praktikohet drejtimi i automjeteve dhe nëse kalojnë provimin mund të marrin vetë makinën sapo të mbushin 18 vjeç. Trajnimi dhe testimi i marrjes së patentës së drejtimit tashmë do të marrë më shumë parasysh sigurinë e këmbësorëve, çiklistëve, skuterëve dhe biçikletave elektrike.
Të dhënat e vendeve anëtare do të unifikohen për të bërë efektiv pezullimin e lejes të drejtimit në të gjithë BE-në. Rregullat e reja kanë vendosur sanksione të forta ndaj disa shkeljeve si parakalimet e rrezikshme, tejkalimi i vijave të forta, drejtimi në sens të kundërt të trafikut. Rregullat e reja u prezantuan nga Komisionerja Evropiane për Transportin, Adina Valean.
“Shumë prej jush me siguri e kanë lejen e drejtimit në portofol dhe janë gati ta tregojnë nëse ju ndalojnë gjatë rrugës. Kushti është që ta keni me vete. Tashmë një nga direktivat e miratuara i bën të pavlefshme copëzat e vogla të plastikës. Ne duam që BE të kalojë në një patentë drejtimi dixhitale që funksionon brenda Bashkimit Evropian” – tha Valean.
“Në një të ardhme jo të largët, patenta juaj e drejtimit do të jetë në telefonin tuaj ose në çdo pajisje tjetër dixhitale. Megjithëse mund të merrni edhe versionin fizik nëse dëshironi”, – shtoi Valean.
“Patenta dixhitale e drejtimit është një çështje komoditeti personal, por direktiva jonë do të thjeshtojë dhe lehtësojë gjithashtu barrën administrative të përpunimit të një patentë fizike,” – tha ajo.
Më shumë se 20,000 jetë humbën jetën në rrugët e BE-së në vitin 2022 dhe shumica e viktimave ishin këmbësorë, çiklistë dhe përdorues të skuterëve dhe motoçikletave. “Rregullat e reja – shkruan Ekzekutivi i BE-së në një shënim – do të përmirësojnë sigurinë për të gjithë përdoruesit e rrugës dhe do të ndihmojnë BE-në të arrijë Vizionin Zero: asnjë vdekje në rrugët e BE-së deri në vitin 2050″.