Përzgjedhësi i Kosovës në futsall (futboll i sallës), Ramadan Cimili, ka publikuar listën me emrat e lojtarëve në të cilën llogarit për ndeshjet e raundit kryesor të kualifikimeve për Botërorin e vitit 2020.
Në raundin paraeliminator, Kosova ishte renditur e dyta në grup prapa Bjellorusisë dhe para Norvegjisë e Andorrës. Kështu është kualifikuar për raundin kryesor kualifikues, shkruan Koha Ditore. Kosova është në grupin e dytë së bashku me Ukrainën, Slloveninë dhe Maqedoninë e Veriut.
Ndeshjet luhen në Shkup prej 24 deri më 27 tetor. Kosova fillimisht luan me Ukrainën, më pas me Maqedoninë Veriore dhe në fund me Slloveninë. Dy të parët në grup avancojnë në raundin elitar të kualifikimeve.
Përfaqësuesja e Kosovës në futsall grumbullohet më 20 tetor në Prishtinë. Seleksionuesi Cimili ka ftuar vetëm lojtarë të klubeve të vendit. Pesë lojtarë reprezentues janë të Liburnit, një i Prizrenit, pesë të Mabetex Prishtinës, dy të Prishtina 01 dhe një i Pejës.