Pasi sugjeroi fillimisht se aksidenti tragjike hekurudhor pranë Larisës, kishte ndodhur si pasojë e një gabimi fatal njerëzor, kryeministri Kyriakos Mitsotakis është detyruar t’u kërkojë falje familjarëve të 57 viktimave.
Në një mesazh në rrjetin social Facebook, Mitsotakis tha se në Greqinë e vitit 2023, dy trena në drejtime të ndryshme nuk mund të lëvizin në të njëjtin binar, dhe askush të mos e vë re.
“Si Kryeministër, u detyrohem të gjithëve, por mbi të gjitha të afërmve të viktimave, një FALJE të madhe. Edhe personale, edhe në emër të të gjithë atyre që kanë qeverisur vendin me vite. Në Greqinë e vitit 2023, nuk duhet të jetë e mundur që dy trena të lëvizin në drejtimin e kundërt në të njëjtën linjë dhe askush të mos e vë re. Ne nuk mundemi, nuk do dhe nuk duhet të fshihemi pas gabimit njerëzor, tha Kyriakos Mitsotakis.
Apologjia e shefit të ekzekutivit grek vjen në mesin e zemërimit popullor, ndërsa protesta masive vijojnë prej disa ditësh. Përleshje me policinë u raportuan të dielën në kryeqytetin Athinë ku rreth 12 mijë vetë ju bashkuan demonstratës.
Sipas policisë, 7 efektivë mbetën të plagosur dhe 5 persona u vunë në pranga. Disa nga protestuesit u vunë zjarrin koshave të plehrave dhe hodhën bomba molotiv. Efektivët u përgjigjën me gaz lotsjellës dhe granta tymosëse, duke larguar manifestuesit nga sheshi Sintagma. Qytetarët lëshuan gjithashtu qindra tullumbacë të zinj në qiell, në kujtim të viktimave të aksidentit, në disa prej të cilave shkruhej “Poshtë qeveritë vrastare”.
“Kreu i sindikatës së shoferëve të hekurudhave pavarësisht paralajmërimeve të vazhdueshme të punonjëseve kanë pasur një indiferencë kriminale nga ata që janë përgjegjës për kërkesat tona lidhur me sistemet e sigurisë, dhe kjo çoi në këtë aksident tragjik”, tha Kostas Genidounias.
Përgjegjësi 59-vjeçar i linjës hekurudhore të Larisës, Vasilios Samaras, është arrestuar nën akuzën e vrasjes nga pakujdesia, pasi dy trena, një me pasagjerë dhe një tjetër mallrash u përplasën kokë më kokë, teksa lëviznin në të njëjtën shinë.
Ai rrezikon të dënohet me 10 vite burg, por shumë në Greqi e shohin aksidentin si një tragjedi të paralajmëruar për shkak të mungesës së investimeve në rrjetin e lodhur hekurudhor. Viktimat e tragjedisë janë kryesisht të rinj, shumë prej të cilëve nuk janë identifikuar ende, pasi gjendeshin në vagonët e parë të trenit, të përfshirë nga flakët. Mes 57 viktimave, janë edhe 6 shtetas shqiptar.