Histori të ndryshme vijnë çdo ditë nga zona e tërmetit tragjik të 6 shkurtit në Turqi, ku mbetën të vdekur mbi 51 mijë persona dhe qindra mijëra të plagosur. Së fundmi mediat turke kanë publikuar pamje të një kamionçine të parkuar, e cila mban një ndërtesë 5 katëshe e cila u dëmtua në tërmetet e 6 shkurtit në lagjen Iskenderun të Hatay-t.
Gjendja e banesës së dëmtuar ka tërhequr vëmendjen e të gjithë atyre që e shohin. Një cep i strukturës, e cila shtrihet përpara, prek tokën, ndërsa këndi tjetër mbahet nga një kamionçinë. Rrezik përbën fakti që shumë qytetarë nuk kujdesen për mbylljen e rrugës për qarkullim në rast të shembjes së objektit.
“Ne nuk mund ta hapim dyqanin pranë kësaj ndërtese”, thotë njëri prej qytetarëve, i cili ka kërkuar që objekti të prishet menjëherë.
Një tjetër qytetar u shpreh se njerëzit që kalojnë këtu rrezikohen nga gurët që bien për shkak të erës.
“Mbrëmë pamë muret të shemben për shkak të erës, gurët bien. Ka një kamion. Ka edhe një cep të shembur. Duhet prishur sa më parë. Godina shqetëson qytetarët”, thotë ai.