Albania
Dhuna e “BIG”-ut dhe dhuna e Luizit
Një nga edicionet më të ndjekura televizive, spektakli “Big Brother”, është kthyer në një ankth të pandalshëm për audiencën.
Një audiencë, e cila vjen për shkak të shumë lojërave apo edhe vetë fenomeneve që trajtohen në një “reality show” siç është “Big Brother”.
Së fundmi ka plasur një debat, ka pasur apo jo dhunë midis Luiz Ejllit dhe Kiara Titos, dy të rinj në një lidhje.
Pretendime nga shumë opinione publike ekzistojnë dhe thonë ka më shumë pasion ai djali apo vajza e të tjera si këto.
Në fakt, shihet shpesh në biseda nga transmetimi direkt apo emisionet që jepen të martën dhe të shtunën se po tentohet të krijohet një frymë kundër dhunës, por duke përdorur thjesht dhe vetëm dhunë.

Kështu ka ndodhur me rastin e fundit pas një loje, të dhënë nga vetë autorët ku Luizi tenton të fitojë mbi vajzën që ai dashuron duke e bërë që të flasë.
Në fakt ajo reagon ashpër, ai thotë është lojë, dikush tenton të qeshë, por dy komentues që paguhen me një thes me para nga produksioni, që fiton një mal me para, e quajtën dhunë pozicionimin e atij djalit dhe më pas e interpretuan shumë fort.
Në fakt, themeli dhe fillimi i dhunës janë lojëra që përdoren në “Big Brother”, por dhe mënyra se si reagon produksioni apo vepron ndaj aktorëve që janë brenda në këtë “reality show”.
Së pari, në momentin që jepet një lojë i detyron banorët të shkojnë deri në ekstrem në marrëdhënien mes tyre.
Pra, dhe të shfaqin dhunë, megjithëse diskutimi ishte për veprimin e Luizit që kishte bllokuar në një cep vajzën që ai donte është një gjë tjetër, sepse dikush mund të pretendojë se mund ta kalonte me një buzëqeshje apo me një puthje.

Dikush tjetër, se ai vetëm po luante, dikush tjetër thotë se kishte kaluar hapësirën, që i takonte ndaj vajzës, të cilën kishte përballë.
Në fakt, hapësira në “Big Brother” është e kufizuar dhe atë hapësirë që ke ta prishin vetë produksioni apo autorët.
Nga ana tjetër dhuna ideohet nga produksioni dhe ka edhe skenarë.
A nuk është dhunë lidhja me zinxhirë, duke i mbajtur me orë të tëra për të mos shkuar në tualet dhe për të mos kryer veprime të tjera duke e quajtur “lojë”?
A nuk është dhunë ajo që i bënë asaj vajzës dje, Kiara Titos, e cila ndodhet përballë një ngarkese të madhe psikologjike, një djaloshi që e dashuronte me pasion, e cila përpiqet të jetë më e qetë në sytë e publikut , të mbajë pak distancë, të tregohet më serioze dhe ndërkohë që e marrin dhe e fusin në një “kafaz”, dhe i plasin të gjitha të sharat që janë bërë në rrjete sociale.
Asnjë vlerësim, dhe pas një rreshti të sharash, i vihet një milion shikime në “TikTok”. A thua se jetojnë njerëzit për “TikTok”-un?
A thua se jetojnë njerëzit për produksionin që bën “Big Brother”. A nuk është dhunë ajo? A ka dhunë më të madhe psikologjike se ajo që bëri produksioni dje ndaj asaj vajze, duke e qëlluar me “plumb”?
Ngarkesë e madhe psikologjike është dhunë direkte ndaj saj.
Sepse, në fakt, në rrjete sociale, nuk ka vetëm lajme të këqija ndaj Kiarës, ka edhe lajme pozitive.
Ka një reagim të fansave të Luizit që e shikojnë si një vajzë që nuk e do atë djalin. Por kjo është çështja e tyre, nuk është çështje e produksionit.

Në vend që të nxisë pozitivitet, nxit dhunë me lojërat me të tilla montazhe dhe video, me reagimet që bën apo me mënyrën si e ndërton spektaklin.
Për këtë arsye, ka shumicën e opinionit kundër “Big Brother”-i.
Është detyruar dhe produksioni të mbyllë komentet në rrjetet sociale. Janë detyruar t’i mbyllin pikërisht për shkak të veprimeve që bëjnë, të lojërave, të reagimeve.
Shumica e njerëzve për të cilin është krijuar ai emision, nuk kanë të njëjtin mendim me produksionin, por produksioni po luan, po shkon në ekstrem të lojës. Po përdor dhunë me ato të quajtura lojra. Lidhje dhe video të tilla si ajo që ka ndodhur me Kiarën dje, janë dhunë e provuar. Ka lojëra të dhunshme, të cilat kanë çuar në esktrem njerëzit, në reagim atje brenda. Ata dy mjeshtrat e komentimit ata heshtin kur dhuna bëhet me versionin e lojrave.
Ajo që ka ndodhur dje me Kiara Titon dhe ajo që ndodh me disa lojërat e “Big Brother”-it janë dhuna e e vërtetë.

Ata që komentojnë dhe që e mbajnë veten si intelektualë të zotë, si psikologë apo filozofë, ata janë dhuna e dytë me reagimet e tyre në studio apo nga jashtë.
Me mënyrën që duan të imponohen dhe atë që duan të përçojnë.
Në fakt më shumë sesa mirësi, qetësi dhe të vërteta, shpesh kanë dalë blof dhe kanë treguar se janë bërë palë e një presioni të madh psikologjik që në fakt është dhunë e hapur, të cilën duhet ta denoncojnë ata së pari.
Pasi askush nuk i ka dëgjuar dhe parë ndonjëherë që të thonë se kjo lojë është e dhunshme, e tepruar.
Askush nuk ka dalë dhe reaguar se kjo video është e gabuar sepse ka edhe shumë të tjera më pozitive. Ka edhe reagime të tjera më pozitive.
Pra, dhuna e vërtetë nuk është tek ai djali që bllokoi në një cep të dashurën e tij.
Fillon dhe mbaron te lojërat që jep produksioni. Fillon dhe mbaron te mënyra se si komentohet dhe trajtohet gjithçka që ndodh në shtëpinë e “Big Brother” me ata të rinj, dikush për famë e dikush jo, dikush për ca para më shumë e dikush për më pak. E vërteta është që dhuna fillon te produksioni dhe mbaron tek produksioni./ CNA.al
Albania
Si u krijua aleanca mes mafies shqiptare dhe karteleve të drogës në Meksikë
Nga Victor Manuel Sanchez Valdes, NORO ESTE
Njoftimi i Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara për vendosjen e sanksioneve ndaj familjes Hysa, e cila është me shtetësi meksikane, por me origjinë shqiptare – për akuzën e pastrimit të parave në favor të fraksionit “Mayiza” të Kartelit të Sinaloas, i shtohet një liste të gjatë lajmesh që lidhin kartelet meksikanë me klane kriminale me origjinë shqiptare dhe ngre pyetjen: pse është bërë kaq e zakonshme lidhja mes organizatave të krimit të organizuar të Meksikës dhe Shqipërisë?
Në Meksikë dihet pak për mafien shqiptare, por ajo është shumë e rëndësishme në nivel ndërkombëtar, pasi, së bashku me ’Ndrangheta-n italiane, përbëjnë dy mafiet që kontrollojnë trafikun e drogës në Evropë dhe, për rrjedhojë, janë ndër aleatët kryesorë ndërkombëtarë të Kartelit të Sinaloas dhe Kartelit Jalisco Nueva Generación (CJNG). Përveç Evropës, ajo ka prani edhe në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Australi, përmes emigrantëve me origjinë shqiptare të vendosur në këto vende.
Në fund të viteve ’80, si mafia shqiptare, ashtu edhe ’Ndrangheta ishin relativisht të vogla krahasuar me organizata të tjera kriminale, por nga vitet ’90 nisën të rriten falë dy faktorëve kryesorë. I pari ishte dobësimi i mafieve me ndikim të madh për shkak të ndjekjes penale nga qeveritë evropiane, si mafia siciliane (Cosa Nostra), Camorra napolitane, mafia ruse, mafia galiciane apo Union Corse. Në të gjitha këto raste, autoritetet gjetën anëtarë të gatshëm të spiunonin bashkëpunëtorët e tyre, gjë që lejoi ndjekjen penale të shumë udhëheqësve dhe i bëri këto grupe partnerë më pak të besueshme për kartelet meksikanë apo kolumbianë.
Ndërsa “spiunët” dobësonin këto mafie, kartelet meksikanë dhe kolumbianë gjetën te mafia shqiptare dhe ’Ndrangheta aleatët e duhur, pasi në të dy rastet bëhet fjalë për grupe kriminale të përbëra vetëm nga persona me lidhje të drejtpërdrejta familjare – prindër, fëmijë, vëllezër, motra, xhaxhallarë e nipër – çka ul ndjeshëm rrezikun e tradhtisë, pasi lidhja e gjakut është vendimtare.
Faktori i dytë është se, në një kohë të shkurtër, falë diasporës së emigrantëve nga Shqipëria dhe Kalabria (rajon në jug të Italisë, prej nga e ka origjinën ’Ndrangheta dhe që karakterizohet nga të ardhura më të ulëta se pjesa tjetër e vendit), ata arritën të vendosin prani pothuajse në të gjitha vendet e Evropës, veçanërisht në porte, qendra të mëdha financiare, kryeqytete me popullsi të madhe dhe zona me rritje të shpejtë ekonomike.
Për shembull, mafia shqiptare ka prani në qytete shumë të rëndësishme si Londra, Berlini, Parisi, Stokholmi, Stambolli, Nju Jorku, Sidnej, Toronto, Madridi apo Roma, si dhe në porte me trafik të lartë tregtar në Evropë, si Hamburgu në Gjermani, Algeciras dhe Valencia në Spanjë, Antverpeni në Belgjikë dhe Roterdami në Holandë.
Duke qenë se portet janë pika kryesore e hyrjes së drogave si kokaina dhe fentanili në Evropë, dhe mafia shqiptare është ajo që është më e infiltruar në këto pika, ajo bëhet një aleate kyçe për organizata si Karteli i Sinaloas apo CJNG.
Por përveç këtyre dy arsyeve, ekziston edhe një e tretë që e dallon mafien shqiptare: përveç rolit kyç në trafikun e drogës, ajo u ofron organizatave meksikane edhe qasje në një rrjet shumë të gjerë pastrimi parash në Evropë dhe në pjesë të tjera të botës, si Kina.
Shqiptarët investojnë në projekte imobiliare luksoze në të gjithë Evropën; janë pronarë kazinosh, hotelesh, qendrash turistike, spa-sh dhe restorantesh, por gjithashtu kanë krijuar aleanca me kinezë dhe turq për interesa në biznese të vogla me produkte të lira dhe pirateri në qytete të ndryshme.
Po ashtu, janë identifikuar operacione të tyre në qendrat kryesore financiare të Evropës, si Cyrihu, Gjeneva, Frankfurti apo Londra, si dhe blerje kriptomonedhash, përdorimi i platformave të lojërave elektronike apo mashtrime masive përmes mjeteve digjitale.
Në përmbledhje, mafia shqiptare është bërë një partnere shumë e vlefshme për kartelet meksikanë sepse është një nga blerëset më të mëdha të drogës, ka një rrjet të gjerë shpërndarjeje në Evropë dhe vende të tjera, ofron shërbime tepër të rëndësishme si pastrimi i parave dhe madje mund të sigurojë edhe armë të rënda.
Kjo bën të mundur që i njëjti klan shqiptar të ketë marrëdhënie biznesi me kartele armike mes tyre, si Karteli i Sinaloas dhe CJNG, sepse kostoja e prishjes së marrëdhënies është më e lartë sesa tolerimi i mungesës së ekskluzivitetit.
Gjithashtu, është e rëndësishme të theksohet se, ndryshe nga Karteli i Sinaloas apo CJNG, mafia shqiptare nuk është një organizatë e vetme, por shumë të pavarura: çdo klan familjar funksionon si një bandë më vete, me portofolin e vet të bizneseve. Ndryshe nga organizatat kriminale meksikane, të cilat shpesh përplasen dhe konkurrojnë dhunshëm, shqiptarët rrallë përfshihen në konflikte të dhunshme dhe shumicën e kohës bashkëpunojnë mes tyre dhe ndajnë fitimet.
Për këtë arsye nuk është aspak çudi që familja Hysa, e vendosur në Meksikë, dhe që qeveria amerikane e lidh me fraksionin Mayiza, të shërbejë si urë lidhëse me klanet e mëdha evropiane dhe që, përveç pastrimit të parave përmes kazinove, të ofrojë qasje në një katalog shumë të gjerë investimesh në Evropë, gjë që është jashtëzakonisht e vështirë për t’u zbuluar nga autoritetet meksikane. Pikërisht për këtë arsye, prej vitesh marrëdhënia mes organizatave shqiptare dhe atyre meksikane është intensifikuar.
Albania
“E-Albania” plotësisht jashtë funksionit!
Prej më shumë se një jave portali qeveritar e-Albania vijon të ketë probleme në ofrimin e shërbimeve për qytetarët dhe bizneset.
Këto probleme vijojnë të shfaqen ku sërish vështirësitë hasen si për qytetarët për të aksesuar platformën, por edhe për bizneset.
Në një njoftim që shfaqet në faqen zyrtare të e-Albania vijon të shfaqet njoftimi: Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile gjatë ditës së sotme do të realizojë një operacion mirëmbajtjeje dhe përmirësimi të sistemit elektronik të saj. Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile do të realizojë operacione mirëmbajtjeje dhe përmirësimi të sistemit elektronik të saj. Ju informojmë se gjatë këtyre proçeseve mund të ketë ndërprerje të përkohshme apo ngadalësime në marrjen e të dhënave përmes ndërveprimit me Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile. Kërkojmë mirëkuptimin tuaj për çdo vështirësi të mundshme që mund të haset në përdorimin e shërbimeve publike online.
Pesë ditë më parë më parë Aleanca për Profesionistët e lirë e ka ngritur në tej si problem pasi bizneset nuk arrijnë të marrin shërbime apo kryejnë pagesa.
Ndërsa ka renditur problemet e hasura, Aleanca kërkon sqarime të mëtejshme.
“Këto platforma janë sot infrastruktura bazë për regjistrime, deklarime, aplikime, pagesa dhe përmbushje detyrimesh ligjore. Ndërprerja e tyre, qoftë edhe e përkohshme, krijon pasiguri juridike, vonesa procedurale, rrezik penalitetesh dhe kosto shtesë për bizneset dhe profesionistët e lirë, të cilët varen pothuajse tërësisht nga shërbimet digjitale.”
Fenomeni ngre pikëpyetje jo vetëm mbi qëndrueshmërinë teknike të sistemeve, por edhe mbi menaxhimin e riskut, kapacitetet e back-up-it, komunikimin institucional dhe mekanizmat alternativë që duhet të aktivizohen në raste të tilla.
Në këtë kontekst, vlerësojmë të domosdoshme: transparencë më të madhe mbi shkaqet e ndërprerjeve dhe kohëzgjatjen e tyre; forcimin e sigurisë, qëndrueshmërisë dhe redundancës së sistemeve digjitale; parashikimin e procedurave alternative dhe shtyrjen automatike të afateve ligjore në raste mosfunksionimi të platformave; komunikim të qartë dhe në kohë me përdoruesit, për të shmangur pasigurinë dhe keqinterpretimet”, thuhet në ankesën e tyre”.
Jo vetëm me bizneset por portali ka shfaqur vështirësi edhe për individët, si regjistrimi i fëmijëve të porsalindur në sistem si dhe aplikimet për pajisjen me mjetin e identifikimit apo rinovimet e pasaportave.
Kjo çështje kthehet në një problem këtë periudhë fundviti teksa rikthimi i emigrantëve në atdhe është i lartë dhe i shfrytëzojnë ditët e pushimit edhe për tu marrë me dokumentacione.
Albania
Sulmet digjitale në 2025/ Më të sofistikuara dhe më të organizuara
Sulmet digjitale në Shqipëri kanë ardhur duke u sofistikuar përgjatë 12 muajve të fundit. Shpeshherë ato ndodhin në forma të fshehta, por pasojat në integritetin e të dhënave apo sigurinë e qytetarëve janë të dukshme dhe problematike.
Një monitorim i BIRN për hapësirën digjitale në Shqipëri për periudhën kohore shtator 2024-gusht 2025 identifikoi 115 shkelje në total, ku kryesojnë përmbajtjet e dëmshme dhe sjelljet kërcënuese, të ndjekura nga shkeljet e të drejtave ekonomike dhe aseteve digjitale.
Më të prekurit nga këto shkelje janë qytetarët dhe grupet e aktivistëve, ndërkohë që autorët e këtyre sulmeve janë një pjesë të paidentifikuar.
Transferimi i pothuajse të gjitha shërbimeve publike në platformën digjitale qeveritare “e-Albania” përgjatë viteve të fundit është shoqëruar jo vetëm me avantazhe për qytetarët, por edhe me rrisqe përsa i përket mbrojtjes së të dhënave të tyre personale.
Sipas ekspertëve, shkeljet digjitale më të rrezikshme janë përqendruar në sulmet ndaj infrastrukturave kritike të vendit, dezinformimin dhe manipulimin zgjedhor, mashtrimet financiare digjitale, si edhe sulmet online ndaj aktivistëve dhe gazetarëve.
Orkidea Xhaferaj, hulumtuese dhe drejtuese e Departamentit të Politikave Digjitale dhe Inovacionit pranë SCiDEV, i tha BIRN se prej vitesh ka një trend rritës të sulmeve kibernetike në Shqipëri, gjë që reflekton trendin global apo tranformimin digjital që po ndodh në vend.
“Sulmet ndaj infrastrukturave kritike janë më të rrezikshmet, pasi impaktojnë shërbimet publike, dhe së dyti sigurojnë akses të keqbërësve në të dhënat personale dhe sensitive të qytetarëve në masë,” i tha BIRN Orkidea Xhaferaj, duke përmendur si shembull sulmin ndaj Bashkisë Tiranë në qershor 2025, që la pa shërbim mijëra qytetarë.
Daniel Prroni, hulumtues pranë Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) shtoi më tej se një tjetër trend shkeljesh digjitale në 2025 konsiston pikërisht në përhapjen e dezinformimit gjatë fushatës zgjedhore të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025.
“Një tjetër rrezik gjatë këtij viti ka qenë përhapja e dezinformimit dhe manipulimit të informacionit, veçanërisht gjatë fushatës zgjedhore përmes përmbajtjeve të gjeneruara me AI, pa etiketime apo transparencë, dhe përdorimin të bot-eve për të amplifikuar mesazhe politike”, i tha BIRN Daniel Prroni.
Fushata zgjedhore e zgjedhjeve parlamentare të Majit 2025 u karakterizua nga një sërë shkeljesh etike në hapësirën online.
Edhe pse partitë kryesore të vendit nënshkruan Kodin e Etikës për Fushatën Digjitale, shumica e tyre përdorën dhe shpërndanë video të gjeneruara me Inteligjencë Artificiale që patën si efekt bullizëm kibernetik dhe dezinformim ndaj kundërshtarëve politikë. Gjithashtu më shumë se 50 faqe të ndryshme anonime online u përdorën për propagandë politike.
Ekspertët pranojnë gjithashtu se gjatë vitit 2025 të dhënat personale dhe financiare të qytetarëve janë ndikuar ndjeshëm prej një serie sulmesh “phishing” që kanë shënjestruar financat e tyre, sulme të sofistikuara të cilat kamuflohen sikur vijnë prej institucione reale të vendit.
“Mashtrimet digjitale dhe sulmet ‘phishing’ janë bërë gjithnjë e më të vështira për t’u dalluar nga komunikimet legjitime të institucioneve apo operatorëve ekonomik legjitim përmes imitimit të domain-eve të institucioneve shtetërore dhe kompanive private”, i tha BIRN hulumtuesi i IDM, Daniel Prroni.
Të njëjtën gjë konfirmon edhe ekspertja Xhaferaj, sipas të cilës skemat e mashtrimit financiar kanë impakt të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve.
“Shitja apo rrjedhja e të dhënave personale nga sulmet phishing ndaj qytetarëve rrit vulnerabilitetet për sulme të tjera ndaj tyre”, i tha BIRN Orkidea Xhaferaj.
Autoriteti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike (AKSK) ka paralajmëruar disa herë qytetarët të tregohen të kujdesshëm ndaj këtyre tentativave të mashtrimit që targetojnë të dhënat dhe financat e tyre.
Një kategori tjetër që janë prekur nga shkeljet në sferën digjitale janë aktivistët e të drejtave të njeriut, gazetarët, apo anëtarët e komuniteteve vulnerabël, që vijojnë të jenë shënjestër e sulmeve të cilat jo pak herë konsistojnë edhe në kërcënime me jetë apo fushata linçimi që ndikojnë ndjeshëm në mirëqënien e këtyre personave.
Sipas Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit, Shqipëria renditet e 80 nga 180 vende, duke u theksuar se gazetarët janë viktima të akteve të indimidimit nga politikanët dhe krimi i organizuar.
Prroni i tha BIRN se këto sulme ndaj aktivistëve apo gazetarëve vijojnë të mbeten një shqetësim për lirinë e shprehjes.
“Kërcënimet dhe bullizmi kibernetik gjithashtu kanë përbërë një volum të lartë të shkeljeve. Qytetarët e angazhuar në publik dhe grupet e margjinalizuara janë sulmuar vazhdimisht online, shpesh nga njerëz të paidentifikuar”, tha Prroni për BIRN.
“Në thelb, këto sulme kanë synuar të krijojnë një klimë frike dhe presioni që nxit vetëcensurën e gazetarëve dhe shkurajon pjesëmarrjen e qytetarëve në jetë publike”, shtoi ai.
Ekspertët janë të mendimit se ndërgjegjësimi i qytetarëve ndaj këtyre sulmeve është hapi kyç në adresimin e kësaj situate.
“Ndërgjegjësimi dhe rritja e kapaciteteve të qytetarëve për phishing dhe mashtrimet online mbetet kyç për adresimin e situatës”, i tha BIRN Xhaferaj.
Ajo shtoi se edhe forcimi i kapaciteteve të mbrojtjes kibernetike vendore duhet të jetë prioritet për mbrojtjen e infrastrukturave lokale dhe të dhënave të qytetarëve.
Edhe hulumtuesi Prroni nga IDM theksoi rëndësinë e përmirësimit të legjislacionit me mekanizma më efektive hetimi kundër mashtrimeve digjitale apo harmonizimin me rregulloret e BE-së përsa i përket përdorimin të platformave digjitale.
“Nevojiten përmirësime thelbësore të legjislacionit kundër mashtrimeve digjitale dhe mekanizma më efektivë hetimi”, i tha BIRN Prroni.
“Gjithashtu duhet punuar për harmonizimin e akteve të BE-së që rregullojnë mjedisin digjital, posaçërisht DSA-së në lidhje me sjelljen e platformave digjitale dhe Aktin e Inteligjencës Artificiale në lidhje me përdorimin dhe përhapjen e materialeve të gjeneruara nga AI”, përfundoi ai.
Reporter.al
-
Albania21 hours agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
UK20 hours agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania3 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
Sports19 hours agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK3 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Albania21 hours agoHetimet për atentatin e Rinasit, burime: Autorët pasi dogjën mjetin që përdorën në krim u larguan me ambulancë
-
Albania2 days agoVIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë
-
Albania2 days ago“Katolikët monitoroheshin, myslimanët përgatitnin ushqimet për ta” – si festoheshin Krishtlindjet në komunizëm në Shqipëri
