Numri i azilkërkuesve që presin të marrin një përgjigje nëse do të mund të vijojnë të qëndrojnë në Britaninë e Madhe apo jo ka arritur nivele rekord. Deri tani janë regjistruar rreth 166 mijë azilkërkues të cilët presin përgjigje ndërsa pothuajse 110 mijë janë në pritje prej 6 muajsh ose më shumë, citon “RTSH” mediat britanike.
Shifra ka shënuar një rritje prej 60% krahasuar me vitin e kaluar. Ndërkaq, Britania e Madhe është duke bërë gati ligjin përmes të cilit do të ndalojë të gjitha kalimet e paligjshme të emigrantëve. Ministrja e Brendshme, Suella Braverman, ka deklaruar se ata që hyjnë në Mbretërinë e Bashkuar përmes rrugëve të paligjshme do të rikthehen në vendet e tyre të origjinës.
Sipas zyrtarëve britanikë, sistemi i azilit është i mbingarkuar dhe ndryshimet në ligj do të bëjnë të mundur që të ndalojnë emigrantët.
Gjithashtu, parashikohet të vendoset edhe një kufi për dhënien e azilit në Mbretërinë e Bashkuar. Nga ana e tyre, laburistët e konsideruan ligjin si një instrument që më shumë e përkeqëson sesa e rregullon gjendjen.
Më shumë se 45 mijë persona hynë në Mbretërinë e Bashkuar përmes Kanalit të La Manshit vitin e kaluar, nga rreth 300 që mundën të kalojnë në vitin 2018. (