Në banesat e partneres dhe ish-bashkëshortes së ish-ministrit Arben Ahmetaj veç sasisë së parave cash janë sekuestruar edhe disa dokumente që vlerësohen si të rëndësishme për hetimet që po zhvillohen aktualisht.
Më konkretisht, mësohet se mes dokumenteve të tjera në banesën e partneres së ish-zëvendëskryeministrit janë sekuestruar, një kopje projekt-koncept për vilën në ngarkim të saj në Lalëz. Kopje e projektit teknik për Apartamentin në Kompleksin “V…”, Interior Design, porositur nga E.H.
Ndërsa, në banesën e ish-bashkëshortes është sekuestruar një kopje e projektit teknik për vilën e saj në në zonën e Rolling Hills. Një kopje e projekt-idesë për vilën Nr. … Green Coast (Interior Design, plane funksionale dhe imazhe tredimensional), në lidhje me vilën e A. M. Kopje të dokumentacionit të ndodhur të ndodhur në një folder në kompjuter mbi projektimin koncept-idesë të banesës ekzistuese të A. M. Në zonën e ish-bllokut.
Po ashtu, në banesa janë sekuestruar foto që tregojnë se kur janë punuar projektet në Lalëz dhe Palasë.
Kujtojmë se Agjentët e Byrosë Kombëtarë të Hetimit kanë kryer kontrolle mbrëmjen e së enjtes në banesën e partneres së ish-ministrit Arben Ahmetaj dhe në banesën e ish-bashkëshortes së tij.
Në banesën e ish-bashkëshortes nuk është gjetur asnjë send i paligjshëm, ndërsa në banesën e bashkëjetueses është gjetur një shumë parash cash. SPAK ndërkohë po kryen veprime hetimore mbi rolin e Arben Ahmetajt për çështjen e inceneratorëve.