Bandat që merren me trafikimin e qenieve njerëzore kanë ndryshuar taktikë për kalimin e emigrantëve shqiptarë të paligjshëm drejt Britanisë së Madhe. Në këmbim të një pagese prej 7 mijë paundësh, shqiptarët kalojnë në kanalin “La Mansh” me skaf dhe jo me gomone duke rrezikuar edhe jetën.
Sipas medias britanike, The Sun, kjo i bën kalimet nga Franca në Angli shumë më pak të zbulueshme dhe udhëtimi zgjat vetëm 45 minuta krahasuar me orë të tëra në gomone. Në artikullin e medias, britanike, tregohen edhe video të shkurtra të postuara nga shqiptarët në rrjetin social TikTok ku tregohet sesi një grup emigrantësh të paligjshëm arrin në brigjet britanike në mënyrë ilegale.
Me mënyrën e re të udhëtimit, shqiptarët arrijnë t’u shpëtojnë ndjekjes së autoriteteve britanike.
Në total deri në 45.755 mijë azilkërkues kaluan kanalin “La Mansh” me gomone vitin e kaluar dhe gjysma e tyre ishin nga Shqipëria dhe Afganistani.
Së fundi, kryeministri britanik, Rishi Sunak ashpërsoi retorikën e tij për emigrantët e paligjshëm duke thënë se nuk do të pranohet asnjë azilkërkues që do të kërkojë strehim në Mbretërinë e Bashkuar. Një tjetër takim pritet të zhvillohet mes kryeministrit britanik, Rishi Sunak dhe presidentit francez, Emmanuel Macron për marrjen e masave më të shumta nga Franca me qëllim uljen e numrit të emigrantëve të paligjshëm që mbërrijnë në brigjet e Britanisë së Madhe.