Falimentimi i bankës së investimeve, Silikon Valley Bank, ka krijuar alarm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një pjesë e ekspertëve heqin paralele me krizën financiare të 2008-ës dhe me mundësinë e përshkallëzimit të kësaj situate.
Për këtë çështje u diskutua këtë të mërkurë në A2 Business ku folën Dael Dervishi, ekspert për ekonominë, njohës i tregjeve amerikane dhe Adrian Civici, ekspert për tregjet financiare.
Civici u shpreh se deri tani duket se nuk kemi të bëjmë me një krizë sistemike edhe të sistemit bankar siç ishte kriza e vitit 2008.
“Situata duket sikur është qetësuar pas ndërhyrjeve edhe të presidentit Biden. Deri tani duket se nuk kemi të bëjmë me një krizë sistemike edhe të sistemit bankar siç ishte kriza e vitit 2008. Në këtë rast kemi të bëjmë me banka të vogla. Silikon Valley Bank është e 16 në sistemin bankar amerikan, është bankë rajonale dhe e fokusuar te “start up”-et. Kjo është një krizë brenda bankës. Ajo që e shkaktojë më shumë këtë krizë ishte paniku sepse sipas shifrave, vetëm brenda muajve të fundit nga kjo bankë janë tërhequr mbi 400 milionë dollarë.
Frika e efektit domino duket se është bllokuar. Megjithatë, nuk kemi të bëjmë vetëm me Silikon Valley Bank, por edhe me dy banka të tjera që po trajtohen në të njëjtën mënyrë”, tha Civici.
Por, a ekziston rreziku që të ketë një efekt domino kjo krizë dhe të përfshihet edhe Europa. “Këto kriza karakterizohen më shumë nga elementi panik sesa nga elementë të tjerë. Pikërisht kjo ka qenë arsyeja pse institucione të ndryshme në SHBA po ndërhyjnë në mënyrë energjike për të ndalur efektin domino. Nesër do të ketë një mbledhje në Frankfurt të Bankës Qendrore Europiane dhe pritet një rritje të normës bazë. Këto janë ndërhyrje në tregje për të ndalur këto problematika. Po reflektohet edhe në sektorë të tjerë. Teorikisht, kriza e panikut mund të shkaktojë efekt domino, por ndërhyrjet duket se po bëhen në mënyrën e duhur.
/A2CNN