Suella Braverman ka kryer udhëtimin e saj të parë në Ruanda, si sekretare e Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar, por është akuzuar menjëherë se ka lënë në shtëpi dy nga mediat më të mëdha botërore, “BBC” dhe “The Guardian”, duke favorizuar ndërkaq të tjera media më pak prestigjioze, por të cilat favorizojnë narrativën e zyrtares së lartë britanike.
Ruanda është e rëndësishme për Britaninë e Madhe, për faktin se është vendi i përzgjedhur për të deportuar, emigrantë të jashtëligjshëm, të cilët nuk i plotësojnë kushtet për azil në ishull.
Çështja e emigrimit ka qenë ndër më kryesoret e muajve të fundit, e trajtuar gjerësisht në Parlamentin britanik, ku janë përfolur edhe shqiptarët.
Mirëpo, sërish, mbi gjuhën e përdorur nga sekretarja britanike, ka pasur kritika të shumta dhe ato kanë ardhur edhe nga mediat e mëdha, BBC apo Guardian.
Pikërisht kjo mendohet se i ka shfavorizuar të dyja, duke mos u thirrur për udhëtimin në Ruandë. Të tjera media të paftuara, janë edhe Daily Mirror dhe The Indipendent.
Nga ana tjetër, të ftuar kanë qenë gazetarë të tabloidëve Daily Mail apo Telegraph.
Këto të fundit e kanë trajtuar çështjen e emigrantëve në linjë me narrativën e Braverman dhe mendohet se kjo gjë e ka favorizuar thirrjen e tyre për raportim.
Ndërsa, edhe nga media të tjera të pavarura britanike, e gjithë vizita e Braverman është përshkruar si “një spektakël për konsum publik”.